E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frçkovski: “Gruevski, rryshfet nga Beogradi për çështjen e Kosovës”



Ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë , Lubomir Frçkovski konsideron se qeveria aktuale me në krye Nikolla Gruevskin, ka kërkuar para nga Serbia, për të mos zhvilluar marrëdhëniet me Kosovën. Sipas tij, nuk ekziston asnjë pengesë juridike që do të pengonte apo zgjaste vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e ri. Shtyrja e vendosjes së marrëdhënieve me Kosovën, thotë Frçkovski, bëhet për arsye politike dhe qëllime përfitimi nga Beogradi. “Ekipi i Qeverisë së Maqedonisë në vizitën e fundit në Beograd, kërkoi para dhe investime nga Serbia, me kusht që të mos zhvillonin marrëdhëniet me Kosovën. Ky është një moment politik në të cilin duhet të vlerësohet përse kjo Qeveri e bën këtë. Çështja e dytë është se sipas të gjitha gjasave presin ndonjë balancë me demarkacionin e kufirit”,- theksoi Frçkovski.

Bosnjë
Arrestohen dy serbë, masakruan 200 vetë

Petar Civciç, 39 vjeç dhe Branko Topola 41 vjeç janë arrestuar dje në Prijedor, ne veri-perendim të Bosnjë-Hercegovinës. Ndaj tyre rëndon akuza e vrasjes së rreth 200 meshkujve muslimane dhe kroate me datë 21 gusht të vitit 1992 në krahinën e Koricanskë Stijene në Bosnjën Qendrore. Për të njëjtën akuzë nga Gjykata e Sarajevës po hetohen edhe 9 ish-efektivë policie në atë kohë në Prijedor. Ndërkohë, një tjetër pjesëmarrës në masakër, Darko Mrdja, ka pranuar autorësinë dhe që nga viti 2004 është duke vuajtur dënimin prej 17 vjetësh heqje lirie, dhënë nga Haga.

Greqi
Rrëzohet avioni që po shuante zjarret
Një avion zjarrfikës grek është rrëzuar teksa po tentonte të shuante zjarret që kishin shpërthyer në ishullin Cefalonia në detin Jon. Lajmi konfirmohet nga forcat zjarrfikëse. “Nuk jemi të sigurtë se çfarë i ka ndodhur pilotit”,- ka thënë një përgjegjës i forcave zjarrfikëse për agjencinë e lajmeve “Reuters”, i cili ka preferuar të mbetet anonim. Avionët zjarrfikës kanë pasur shumë vështirësi në përpjekjet për të shuar zjarret e fuqishme që kanë shpërthyer ditët e fundit në Greqi. Zjarret kanë shkatërruar rreth 150 shtëpi si dhe djegur pyje e toka të mbjella afër Athinës.

SHBA
Senatori Kenedi varroset të shtunën
Ceremonia e varrimit për senatorin amerikan Eduard Kenedi do të mbahet këtë të shtunë. Familja e tij tha se senatori do të varroset afër vëllezërve të tij në Varrezat Kombëtare Arlington.
Presidenti Barak Obama do të mbajë një fjalim në meshën mortore.
Sot, trupi i Kenedit do të shtrihet në bibliotekën presidenciale Xhon F. Kenedi në Boston, në mënyrë që të nderohet. Senatori vdiq të martën pas një beteje të gjatë me kancerin në tru. Ai ishte 77 vjeç dhe konsiderohet politikani i fundit i dinastisë “Kenedi”. Obama tha se SHBA-të humbën politikanin më të shquar të kohërave moderne.

Gjermani
Kryeministri izraelit Natanjahu takon Merkelin
Kryeministri izraelit Benjamin Natanjahu takoi kancelaren gjermane Angela Merkel në Berlin, që ishte edhe ndalesa e tij i fundit në vizitën katërditëshe në Europë. Bisedimet u fokusuan në përpjekjet ndërkombëtare për të ringjallur bisedimet paqësore izraelito-palestineze. Berlini i mbështet kërkesat amerikane, që Izraeli të ndërpresë ndërtimet e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor para fillimit të bisedimeve.
Natanjahu tha se ka rënë dakord për “rëndësinë e rifillimit të negociatave” mes izraelitëve dhe palestinezëve.

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›