E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina digjet, Tirana krihet

Qeveria shqiptare hesht pas konflikteve në Mitrovicë dhe Prishtinë. Mediat e huaja akuzojnë Berishën për nxitje tensionesh në Kosovë

Albert Gjoka

Zhvillimet e javës së fundit në Prishtinë kanë ndezur gjakrat dhe kanë rritur tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve, ashtu siç ndodhi 5 vjet më parë, pikërisht në prag të zgjedhjeve vendore të 15 nëntorit. Një situatë e tillë ka alarmuar komunitetin ndërkombëtar dhe thuajse të gjitha vendet fqinje, me përjashtim të Tiranës zyrtare. As qeveria dhe as Ministria e Punëve të Jashtme nuk reaguan as për përplasjet e dhunshme në Kroin e Vitakut në Mitrovicë dhe as për aktet e Lëvizjes “Vetëvendosje” në Prishtinë. Në të dyja rastet pati konflikte të hapura mes shqiptarëve dhe serbëve, apo mes shqiptarëve dhe misionit europian të EULEX-it.
Institucionet në vapë
Ditët e nxehta të gushtit i kanë vënë në gjumë të gjitha institucionet e shtetit. Kjo lidhet edhe me faktin se ende nuk kanë përfunduar negociatat mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për krijimin e qeverisë së re. Selia e diplomacisë shqiptare në Tiranë, por edhe misioni ynë në Prishtinë, nuk ka bërë ndonjë deklaratë në lidhje me zhvillimet më të fundit. Qeveria shqiptare, por edhe partitë politike nuk janë shprehur për përleshjet e përgjakshme në Veri të Kosovës dhe akteve të dhunshme të lëvizjes së drejtuar nga Albin Kurti. Ministria e Punëve të Jashtme ka pasur vetëm një reagim dy ditë më parë në lidhje me vdekjen e senatorit amerikan Kenedi.
Akuzat për përfshirje
Politika e Beogradit, por edhe mediat serbe, kanë shtuar ndjeshëm kritikat për kreun e qeverisë shqiptare. Sipas tyre, “konfliktet e fundit kanë lidhje me deklaratat e zotit Berisha mbi një projekt të bashkimit kombëtar, gjë që solli edhe dërgimin në Tiranë të një note proteste nga pala serbe. Edhe mediat e tjera perëndimore shohin lidhje paralele mes tensioneve në Kosovë dhe qëndrimit të Tiranës zyrtare. Në një shkrim të djeshëm të agjencisë gjermane “DPA” thuhet se “këtë verë ka shenja të rritjes së tensioneve mes shumë shqiptarëve në Kosovë dhe Serbinë Jugore me thirrje për bashkimin me Shqipërinë dhe protesta të dhunshme, duke shkaktuar shqetësim në rajon”. Madje shtohet se kohët e fundit zoti Berisha i ka futur zjarrit benzinë kur tha se “bashkimi kombëtar i shqiptarëve duhet të jetë një ide kyçe në politikat e Kosovës dhe Shqipërisë”. Duke folur për DPA-në, Dushan Jangjiç, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike, e ka konsideruar këtë një gabim politik të zotit Berisha, pse jo, një vetëvrasje politike. Ai ka kërkuar që “komuniteti ndërkombëtar të mos mbështesë projekte të tilla mbarëkombëtare”. Shkrimi i djeshëm i agjencisë gjermane është rimarrë nga shumë media të tjera ndërkombëtare dhe në të vihet theksi te shkaqet e tensioneve në Kosovë, ku, sipas tyre, nuk përjashtohen as implikimet e Tiranës zyrtare.
Ndonëse mediat, por edhe politika e disa vendeve fqinje dhe përtej tyre po lëshojnë akuza dhe aludime edhe për qeverinë shqiptare dhe veçanërisht për zotin Berisha, ende nuk kemi asnjë mesazh të qartë dhe të prerë të Tiranës zyrtare drejtuar autoriteteve kosovare, Beogradit dhe komunitetit ndërkombëtar. Situata komplikohet tani edhe në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor, që do të mbahen më 15 nëntor dhe strukturat paralele serbe, të cilat ekzistojnë në shumë komuna të vendit, po përpiqen që të vazhdojnë misionin e tyre, gjë që kundërshtohet ashpër nga autoritetet kosovare, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Box 1
Deklaratat e Berishës, tensione në Prishtinë, Shkup dhe Beograd

Deklaratat më të fundit të kryeministrit të Shqipërisë janë pasuar me reaksione dhe qëndrime të ndryshme në kryeqendrat e vendeve të rajonit. Serbia i dërgoi një notë proteste Shqipërisë në lidhje me një deklaratë të bërë nga zoti Berisha për një projekt të mundshëm kombëtar që duhet të jetë ide kyçe për politikën shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë. Sipas mediave, Beogradi është bazuar në një intervistë të dhënë nga shefi i qeverisë shqiptare, e cila më pas është rimarrë nga agjencitë e informacionit. Por, Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi duke mos pranuar akuzat e Serbisë dhe duke e ftuar qeverinë e Beogradit që t’i bashkohet politikës së fqinjësisë së mirë dhe liberalizimit të vizave mes dy vendeve.
Po ashtu, lëvizjet e Berishës kanë shkaktuar jo pak tensione edhe në Kosovë. Pritja që i bëri në fillim të gushtit Ramush Haradinajt dhe firmosja mes tij si kreu i AAK-së dhe PD-së të një memorandumi, u pasua me xhelozi dhe veprime të tjera nga aleatët historikë të Berishës në Kosovë. Fill pas kreut të AAK-së, zotit Haradinaj, erdhi në Tiranë një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Madje, kjo parti kërkoi që Berisha të pranonte aleancën dhe marrëveshjen historike të saj me PD-në. Këto deklarata sollën sërish tensione në politikën e Prishtinës. Media, por edhe subjekte politike, kërkuan nga Shqipëria zyrtare që të mos bëhej palë me askënd në Kosovë në këto momente ku vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve.
Edhe raportet e Berishës me politikën shqiptare në Maqedoni janë thuajse të tilla. Për pak ditë kreu i qeverisë priti në zyrën e tij kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi dhe atë të BDI-së, Ali Ahmeti. Pas vizitës së Thaçit në Tiranë, PDSH-ja bojkotoi Parlamentin maqedonas dhe lajmëroi se nuk përjashtohet mundësia që t’i kërkojë Shqipërisë të vërë veton për integrimin e Maqedonisë në NATO nëse nuk respektohen të drejtat e shqiptarëve. Edhe një aludim i tillë u pasua me qëndrime nga më të ndryshmet, duke përfshirë edhe krerët maqedonas, ku njëri prej tyre ishte ish-presidenti Branko Cërvenkovski.

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›