E Diel, 1 Nëntor 2026

Dërgesat e emigrantëve, bien me 150 milionë euro

Autori i Lajmit: red.
Banka e Shqipërisë

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi një rënie të dërgesës së emigrantëve, prej 200 milionë eurosh, pasojë kjo e krizës financiare globale.
Por, duket se parashikimi nuk ka qenë larg realitetit, pasi Banka e Shqipërisë për tremujorin e fundit të vitit që shkoi raportoi në shifra zyrtare, ulje të remitancave, në një vlerë prej 150 milionë eurosh. Por, siç është edhe para shikuar remitancat do të vazhdojnë të kenë një tendencë rënëse në muajt në vazhdim.
Raporti i BSH-së
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë të ardhurat nga shqiptarët që punojnë jashtë, shënuan gjatë vitit 2008 rreth 800 milionë euro nga 950 milionë që ishin një vit më parë. Të ardhurat nga emigrantët shënuan një rënie vjetore prej rreth 16 për qind nga vlera prej 950 milionë eurosh, e një viti më parë, duke zbritur nga 12%, në 9.2% të PBB-së. Sipas deklarimeve të mëparshme të Bankës së Shqipërisë kriza ekonomike që po kalojnë vendet ku janë të përqendruar emigrantët do të ndikojë në uljen e të ardhurave nga ky zë. Sipas BSH-së, rreth 190 mijë nga 728 mijë familje, ose afro 26 për qind e totalit të tyre në territorin e Shqipërisë, përfitojnë dërgesa nga jashtë në formën e remitancave. Fluksi mesatar vjetor i dërgesave të emigrantëve për familje, vlerësohet afërsisht në 1.900 euro dhe ndryshon nga qyteti në qytet.
Shifrat
Banka e Shqipërisë në raportin e saj sqaron se tremujori i tretë i vitit 2008 regjistron një rritje të deficitit korrent me 48 për qind në terma vjetorë, duke arritur në rreth 252 milionë euro. Raporti i tij ndaj PBB-së vlerësohet të ketë arritur në rreth 13.7 për qind, rreth 5 pikë përqindjeje më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Në thellimin e deficitit korrent gjatë kësaj periudhe, kontribuoi jo vetëm rritja e deficitit tregtar, por edhe ngushtimi i bilancit pozitiv të llogarisë së të ardhurave dhe të transfertave korrente. Vëllimi i transaksioneve korrente u rrit me 4.4 për qind në terma vjetorë. Shpenzimet korrente shkuan kryesisht për blerje mallrash dhe shërbimesh (95 për qind), ndërsa të ardhurat korrente, në pjesën më të madhe, hynë në formën e transfertave korrente private dhe të shërbimeve të udhëtimit (56 për qind). Deficiti i tregtisë në mallra shënoi një rritje vjetore prej 10.5 për qind gjatë periudhës së mësipërme, duke u vlerësuar në rreth 28 për qind e PBB. Bilanci i llogarisë së shërbimeve regjistroi një suficit prej rreth 74 milionë eurosh, ku shërbimet e udhëtimit kontribuuan përkatësisht me 83 për qind dhe 78 për qind, në eksportin edhe importin e shërbimeve. Rezultati neto pozitiv prej 63.2 milionë eurosh në llogarinë e të ardhurave, shënoi një rënie vjetore prej 14.6 për qind, ku kontributin kryesor e dha tkurrja e të ardhurave hyrëse nga puna. Të ardhurat nga investimet - kryesisht ato të portofolit - janë rritur me 11.4 për qind.
Ky lajm është publikuar: 05/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›