E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Unë nuk jam feministe”

Autori i Lajmit: red.
Më 11 tetor 2007, kur Horace Engdahl, sekretari i përhershëm i Akademisë Suedeze, 15 minuta para shpalljes së Nobelit, telefonoi në shtëpinë e Doris Lessing në Londër, për ta njoftuar personalisht, ajo nuk ishte. Me siguri nuk e ka pritur më këtë çmim, tha Engdahl para gazetarëve, ndërsa shpallte Nobel 2007 në Letërsi. Lessing, në fakt, nuk e kishte pritur më. Libri që më së shumti ndikoi në dhënien e këtij çmimi për gruan e 11-të në historinë e Nobelit, ishte shkruar plot 45 vjet më parë. Ai është Golden Notebook - Shënimet e arta, një libër i cilësuar si far për feminizmin. Bibla e emancipimit të çdo gruaje që kërkon më shumë, “që kërkon më shumë nga vetja, jo nga burrat” - shpjegon ajo. Një libër i ndërlikuar, por shumë seksi. Një histori për vështirësitë që has gruaja ndryshe, gruaja protagoniste, që është një shkallë më lart në emocion, zgjuarsi dhe seksualitet se burrat e rëndomtë. Gruaja që në libër është Ana Vulf dhe në realitet vetë Doris Lessing.
Sapo mbarova librin tuaj të fundit “Alfred dhe Emili”, mendova që, nëse Alfredi do të martohej me gruan e duhur, dhe Emili me burrin e duhur, në botë nuk do të kishte luftë. Çfarë donit të bënit ju me Alfredin dhe Emilinë? Thjesht të shkruanit apo të rishkruanit historinë e familjes suaj?
Doja t u jepja prindërve të mi një jetë të denjë, jetën që ata nuk patën. Prindërit e mi kaluan një jetë shumë të vështirë, një jetë të shkatërruar nga lufta. Kështu që kur e shkrova këtë libër e hoqa luftën. E fshiva Luftën e Parë Botërore dhe u dhashë prindërve të mi një jetë normale, të thjeshtë, jetën që mendoj se do ta kishin pasur, sikur të kishin jetuar në kohë paqeje.

Do të ndiheshin më mirë prindërit tuaj po ta lexonin këtë libër?
Them se po. Sidomos im atë do të gëzohej shumë, sepse gjatë gjithë jetës ëndërronte të ishte fermer. Në libër i dhashë atë që ai donte, të kishte një fermë, diku në krahinat lindore, gjë që s e realizoi dot kurrë.

Çfarë e bën një njeri shkrimtar, mungesa apo letërsia që lexon?
Nuk e di. Unë u edukova nëpërmjet letërsisë, sepse nuk kam bërë shkollë. Jam edukuar vetë, kam shkolluar veten. Nuk di si do të më kishte shkuar jeta pa librat, por besoj se do të kishte qenë shumë keq.

I besoni më letërsisë që lexonit dikur? Apo e keni zëvendësuar?
Nuk do t i zëvendësoja kurrë rusët e vjetër. Ata janë kaq të veçantë. Dhe nuk do të zëvendësoja dot Stendalin e disa autorë të tjerë kyç. Ndërsa shkrimtarët anglezë mund t i zëvendësoja lehtësisht. Nuk e di pikërisht kë, por di me siguri se do t i zëvendësoja.

Pëlqeni ndonjë shkrimtar tani?
Tani? Nuk mund të mendoj ndonjë në veçanti. Lexoj libra të zakonshëm. Po lexoj Orhan Pamukun, psh. Nuk kam lexuar dot ende autorin më të fundit që mori çmimin “Nobel”. Asnjëherë më parë nuk kisha dëgjuar për të.

Ç do të thotë për një njeri të jetojë edhe rrëzimin e Hitlerit, Musolinit, Stalinit edhe të Perandorisë Britanike.
O Zot! Perandoria Britanike mori fund para shumë kohësh dhe s arrij të përfytyroj se ç mund të them tani për të. Por ndërsa rritesha, Perandoria Britanike ishte diçka shumë e fuqishme dhe ishte e pamundur ta mendoje se një ditë do të shuhej. Ishte e pamundur që të ishte më pak se ç ishte, por shikojeni tani. Gjithçka që ishte e plotfuqishme gjatë kohës që unë isha e vogël, si Hitleri, Musolini, Stalini... që të gjithë kanë ikur tashmë. Janë të gjithë si re në qiell. Nuk ju besoj njerëzve që mendojnë se diçka mund të zgjasë përgjithnjë, sepse kjo nuk ndodh.

Asgjë, asgjë nuk zgjat përjetësisht?
Jo, asgjë nuk zgjat. Besoj se në ditët e sotme, njerëzit shohin Amerikën dhe mendojnë se do të zgjasë përgjithnjë. Por s ma merr mendja. Do të ishte interesante të shihja se ç mund t i ndodhë Amerikës.

Pse çfarë mund t i ndodhë ?
Tani për tani, duket e pamundur, por unë them se çarja ka nisur diku, edhe pse ne nuk e parashikojmë dot hëpërhë... nuk e di, gjithsesi. Po të udhëtosh nëpër Amerikë, bie në sy uniformiteti i atij vendi. Por nuk është i njëtrajtshëm. Është shumë ndryshe. Them se do të ndodhë diçka që ta bëjë këtë të dukshme, konkrete, fizike.

Besoni tek njerëzit që drejtojnë, tek njerëzit ndryshe? Çfarë është Obama për ju?
Të gjithë u lehtësuan me zgjedhjen e tij, sepse në këto çaste duket si njeriu, i cili thotë dhe bën gjërat e duhura, por le të presim, mbetet për t u parë.

Ju keni jetuar dhe kohën kur njerëzit rrinin ndaras, veç burrat dhe veç gratë. Po tani, në çfarë kohësh jetojmë për burrat dhe gratë?
Vazhdojnë të rrinë të ndarë. Ende mund të shihen shumë gra të ulura në vende të ndryshme nga burrat. Por më pak. Them se është gjë e mirë. Por nuk di nëse është gjë e mirë që grave të reja angleze u pëlqen të dehen dhe .. Gjithsesi, kjo që po jetojmë, nuk mendoj se është një vizion i lumtur i jetës.

Asnjëherë s e kam kuptuar ç është barazia midis një gruaje dhe një burri. Çfarë duhet të jetë?
S mendoj se janë të barabartë dhe as që duhet të pretendojnë të jenë të tillë. S janë të barabartë. Për sa kohë që fëmijët do të vazhdojnë t i lindin gratë, s do të jetë kurrë njësoj për të dy palët. Por janë më mirë se ç kanë qenë. Njoh plot çifte të reja ku burrat ndihmojnë vërtet me fëmijët e gjithçka, edhe pse sot, gjithnjë e më shumë njerëz rrinë të pamartuar. Kjo është interesante...

Pse gratë mendojnë se do të jenë të lumtura kur të jenë të barabarta me burrat.
S e di. Kanë thënë që do të jenë të lumtura, po të ishin të barabarta me burrat? S ma merr mendja. Mendoj se të jesh i barabartë... duhet të shpenzosh shumë kohë që të arrish të përkufizosh ç është barazia. S është hiç e lehtë.

Keni pasur dy martesa afër njëra-tjetrës dhe pastaj asgjë më, kurrë. Jeni kundër martesës? Nuk e pëlqenit ju atë, apo s ju pëlqente martesa ju?
S është se shkoja shumë mirë me martesën në fakt. Bëhet fjalë për shumë kohë më parë, 50 ose 60 vjet më parë, dhe më ngjan e kam harruar se ç do të thotë në të vërtetë martesë. Por diferencën mes brezit tim dhe brezit tuaj e bëri lufta. Lufta është diçka shumë e fuqishme. Unë nuk mund të ulesha mënjanë dhe të thosha: “Ah, po, kjo është luftë”. Nuk ishte diçka që mund ta përjashtoje prej vetes dhe ta hiqje lehtë nga mendja.

Për të sjellë në jetë tre fëmijë, kush vendosi, ju apo lufta?
Lufta... Sapo nisi lufta, ne bënim fëmijë, sepse njerëzit bëjnë më shumë fëmijë kur ka luftë. Në fillim të jetës, kur isha rreth 20 vjeçe, linda fëmijë, si gjithë të tjerat në atë kohë. Tani shoh gratë që përpiqen të kenë fëmijë dhe s munden. Në atë kohë ishte e pamundur të mos kishe fëmijë. Ka kaluar shumë kohë, por fëmijët e mi jo vetëm që janë të rritur tani, por kam edhe stërnipër. Është një skenë krejt ndryshe, sot.

E dinë ata kush është gjyshja e tyre? Janë krenarë?
Kam dy mbesa. Njëra është arkitekte, dhe ka fëmijë. Tjetra është avokate. Ka shkuar në Amerikë kohët e fundit, duke menduar se atje është më e lehtë se në Londër të gjesh një burrë siç duhet. Por s më duket e nevojshme.

Kur njerëzit tuaj të dashur ju pyesin për gjëra, për shembull, për dashurinë, çfarë u thoni? Ato që keni shkruar në libra apo diçka tjetër?
Pse duhet të jetë ndryshe jeta nga libri? Është shumë interesante. Kur mbesat flasin me mua për dashurinë, kuptoj që s po flasim për të njëjtën gjë. Besomëni. Ato mendojnë gjithnjë se kush do të kujdeset për fëmijët e tyre dhe se kur... S është aspak çështje e lehtë tani të flasësh për dashurinë.

Ju e kuptoni konceptin e tyre për dashurinë?
Sigurisht. Ato duan të kenë gjithçka. Duan të kenë edhe fëmijë edhe liri dhe këto nuk bëhen dot, kaq lehtë, bashkë. E tillë është arkitektja. Tjetra në Amerikë po ia kalon mirë, po bën qejf.

Po për seksin a flisni me to?
Po, flasim edhe për seksin. Unë jam pothuajse 90. Tani seksi për mua, ka më pak rëndësi se më parë.

Po për neurozën femërore, për të cilën keni shkruar, kanë pyetje ato?
Vitin e shkuar përjetova një përvojë shumë interesante. “The Gardian” kishte një rubrikë për librat dhe një nga librat e përzgjedhur ishte libri im "Blloku i artë." Isha ulur mes publikut të madh, dhe po kuptoja që ata nuk dinin asgjë për atë që fshihej pas “Bllokut të Artë”. Atëherë vendosa t u jap një mësim historie.
Ajo që po përpiqesha t u shpjegoja, ishte se në atë kohë, të gjithë kishin një ëndërr. Ëndërronim ardhjen e një bote të mrekullueshme. Por kjo ëndërr u zhduk. Kjo ëndërr nuk ekziston më.
Unë mundohesha t i shpjegoja publikut, që dikur, në moshën time.. Dhe nuk mundesha. Nuk ua shpjegoja dot që situata kishte ndryshuar aq shumë, sa ajo që u dukej thelbësore dikur, nuk ishte më e tillë, sot.
Por ama ia dola t u shpjegoja se nga besimi te gjërat, gjërat përmirësohen. Kjo është diçka që mungon sot, këtë s e kanë sot, s e kuptojnë dot. Kjo është arsyeja që u dhashë një mësim historie.

Mendoni se e keni marrë vonë çmimin “Nobel”, 45 vjet pas "Bllokut të Artë"?
Sa keq që s ma dhanë më parë çmimin “Nobel”, të paktën 10 vjet më parë, atëherë kur isha ende e aftë të shkoja në Stokholm. Do të kisha vallëzuar 10 vjet më parë, ndërsa kur atje festonin, unë rrija ulur te ky divan. Më telefonuan nga Stokholmi dhe më thanë: “Sa shumë dëshirë kishim të ishit këtu”. Mbesat dhe stërnipërit e mi festuan dhe u kënaqën vërtet atje, duke pirë shampanjë e duke kërcyer. Ndërsa unë isha ulur në shtrat, me tim bir pranë. Ai më pyeti: “Çfarë po mendon”?
Po mendova që ishte për të ardhur keq që s e kisha marrë më parë “Nobelin”, sepse do ta kisha shijuar. Ka qenë vërtet një kokëçarje... vërtet.

Si shkruan dikush pas “Nobelit”, pas asaj që është maja e majës së një çmimi letrar?
S kam shkruar më që pas marrjes së çmimit. Fare. S mundem. Jam shumë e zënë duke gatuar për tim bir e duke u kujdesur për të, sa s mund të gjej kohë për të shkruar.

Libri juaj i fundit është “Alfred dhe Emili”. Pas tij asgjë.
E kam thënë që ai është libri im i fundit.

Çfarë kërkon të shkruarit, frymëzim, vullnet? Nëse jeni e mërzitur dhe dita është keq, nuk shkruani?
“Alfredi dhe Emili” është libri im i fundit. Për atë libër ulesha treçerek ore sot, gjysmë ore nesër, një orë pasnesër. Kështu e ndaja javën. Dhe përpiqesha që ajo që po shkruaja të përputhej në atë hapësirë. Në fund mendova që s ka gjë më të keqe se kjo lloj lodhjeje. Vendosa që s do të shkruaj më, dhe i qëndrova fjalës.

Por ju keni shkruar më shumë se 50 libra. Nuk e mendonit kështu në atë kohë, besoj?
Pikërisht. S kam pse të ndiej keqardhje për veten, apo jo?

Pse shkruanit? Për kë shkruanit?
Shkruaja, sepse duhej të shkruaja. Jam një njeri që shkruan.

Veprën tuaj e kanë klasifikuar në tri faza. Komunizmi, sufizmi dhe tema psikologjike. E kanë klasifikuar drejt?
Jo, s do të thotë asgjë. Kritikët pëlqejnë t i kategorizojnë gjërat. Këtë pëlqejnë ata. Për sa më përket mua... dikur quhesha shkrimtare për komunizmin, sepse ashtu e nisa. S di pse e quajtën libër komunist librin tim “Bari këndon”. Më pas shkrova për luftën, sipas tyre, më pas shkrova për çështjen e grave, më pas shkrova për sufizmin, po sipas tyre. Janë të gjitha kaq pa kuptim. Janë marrëzi. Unë thjesht shkruaja për atë që më shkruhej.

Ju tregoni histori apo jeni shkrimtare e angazhuar?
S kam qenë shkrimtare e angazhuar. S më pëlqen angazhimi. Unë tregoj histori.

Çfarë donin feministet nga ju, atëherë?
Janë shumë kontradiktore. Në të vërtetë, s e di çfarë duan. Jam shumë e zemëruar me to, sepse për shkakun e tyre, shumë burra nuk i lexonin veprat e mia dhe thoshin që veprat e mia ishin... nejse, burrat i diskriminuan veprat e mia për shkak të feministeve. Pastaj kishte dhe burra që thoshin "sa keq që e lejojnë këtë të ndodhë", sepse në këtë mënyrë largoheshin nga veprat e mia. Janë treguar të padrejtë ndaj meje, në shumë mënyra. Feministet më dukeshin, flas për feministet e viteve 60, sepse feminizmi ka nisur shumë kohë më parë, më dukeshin shumë të këqija.

Doja t ju pyesja për lexuesit shqiptarë. Çfarë dini ju për ne?
Para shumë kohësh kam pasur të bëj me njerëz që kishin një pikëpamje shumë romantike rreth Shqipërisë, por që s e kanë më. Tani më erdhi mirë të dëgjoj prej jush që Shqipëria është një demokraci normale. Eshtë e vërtetë, apo jo?

Po, është demokraci normale. Së shpejti do të bëhen zgjedhjet e do të votohet për një piktor ose një doktor. Uroj të shkojnë mirë e njerëzit të votojnë.
Uroj që po. Të mos ketë probleme si herë të tjera. Keni kaluar kohë të vështira, apo jo? Po është e vërtetë. Do të doja t ju falënderoja për këtë intervistë. Ishte kënaqësi që folëm bashkë.
Ky lajm është publikuar: 05/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›