E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuneli i Kalimashit vlen sa pavarësia

Autori i Lajmit: Shkëlzen Maliqi
Kosova dhe Shqipëria, që nga vitet 90, të daljes në demokraci, kanë raporte të çuditshme dhe të ndryshueshme. Herë mbizotëron euforia dhe emocionet e hapjes dhe të afrimit, herë në të dy anët shfaqen apatia dhe shenjat e mosbesimit të ndërsjellë…

Ata që shpresonin se me rrëzimin e murit që rreth 70 vjet i ndante shqiptarët do të ndodhte shumë shpejt integrimi shpirtëror, ose edhe i bashkimit të territoreve, është dashur të zhgënjehen jo një herë nga proceset. Disa nga euforikët e bashkimit aq u zhgënjyen nga “realiteti” sa që filluan të dyshojnë fare në projektin e integrimit dhe përhapën lajmin se do të kemi dy Shqipëri, o dy shtete, të cilët do të kenë ca elemente të përbashkësisë, por edhe dallime të konsiderueshme.

Në këto llogaritje emocionale të raporteve ndërshqiptare, shumica nuk e merrte fare parasysh faktin se këto 20 vjet të demokracisë ishin vite të krizës në botën shqiptare. Kolapsi social, politik dhe ekonomik i Shqipërisë komuniste, si dhe kolapsi social, politik dhe ekonomik i Kosovës si pjesë e një federate të dështuar, mund të krahasohen me sëmundje të rënda; sëmundje këto që kanë ndikuar që shqiptarët nga dy anët e kufirit të merren më shumë me veten sesa me projekte integrimesh. Edhe në politikë edhe në ekonomi, e edhe projektet të ngatërruara sociale, të dy komunitetet kanë shfaqur aq shumë konflikte të brendshme dhe polarizime interesash, sa që nuk linin vend për elementin integrues. Konkretisht, për shumë vite politikanët dhe kapitalistët nga Shqipëria e kishin hallin e ndërtimit dhe të ndarjes së tregut të vendit, dhe asnjë retorikë patriotike nuk ua mbushte mendjen që të hapin rrugë që në këtë konkurrencë të ashpër të brendshme, të krijohet edhe mundësia e investimeve serioze të bizneseve nga Kosova. Kështu ka ndodhur më vonë edhe me Kosovën pas luftës, kur në Kosovë filloi ndërtimi i kapitalizmit të egër, dhe edhe këtu ngatërroheshin interesat e grupeve dhe individëve të fuqishëm të politikës dhe të bizneseve, dhe nuk shihej me sy të mirë depërtimi i kapitalit nga Shqipëria. Aty ku dështuan ideologët dhe romantikët që të imponojnë bashkimin shpirtëror nga lart, si detyrim patriotik, tani ndodh një proces i kundërt i afrimit dhe bashkimit nga poshtë, fillimisht në domenin e krijimit të idoleve të përbashkëta të maskulturës, pop-këngëtarëve, opinionistëve, sportistëve etj. Heronjtë e mediave dhe të shoubiznesit si Ardit Gjebrea ose Adi Krasta, Bleona Qerreti ose Genta Ismajli, Lorik Cana ose Erion Bogdani, janë po aq “integrues” shpirtërorë sa Ismail Kadare, Ali Podrimja ose Mimoza Ahmeti.
Për këtë model të ri të integrimit nga poshtë, nuk është më motori që e lëviz idenë romantike kombëtare, por dinamikën dhe fuqinë e saj e përcakton interesi tregut dhe kapitalit. Dhe për këtë jo vetëm nga bizneset shqiptare, por edhe nga ato jashtë që duan të investojnë në Shqipëri dhe Kosovë, dhe gjithnjë kanë parasysh se ky është një treg potencialisht e edhe efektivisht i përbashkët dhe i integrueshëm.
Një lëvizje tjetër popullore dhe masive po kështu ka rolin e madh në përafrimin e dy vendeve, dhe kjo është lëvizja e turistëve kosovarë drejt bregdetit shqiptar, që për çdo vit shënon rekorde të reja dhe pritet që të rritet edhe më shumë. Sa për lëvizjen turistike nga Shqipëria në Kosovë, ajo ende nuk është gjithaq prezente dhe atraktive, por kapacitetet e turizmit dimëror e edhe ekskursionet e shkollave dhe manifestimet rinore dhe sportive e tjera, do të mund të stimulonin edhe zbulimin më masiv të Kosovës në Shqipëri.
Për këtë të fundit, dhe në përgjithësi për vënien e gurthemelit të paradigmës së re të integrimit, po afrohet një ditë që duhet të veçohet në kalendarin e raporteve ndërshqiptare. Këto ditë, pritet të ndodhë një “shpërthim” vërtet i jashtëzakonshëm, ai i përfundimit të tunelit të Kalimashit, pikës më neuralgjike në rrugën Durrës-Morinë, që është nyja e integrimit të Shqipërisë me Kosovën në aspektin e komunikimeve.
Kjo dritë në fund të tunelit do të mund të jetë ajo kthesa epokale që kërkohej të ndodhë në raportet ndërshqiptare. Do të jetë një ngjarje po aq e madhe dhe rrëqethëse sa pavarësia e Kosovës.
Le të besojmë se tuneli dhe përfundimi i rrugës Durrës-Prishtinë, me vazhdimet e saj të logjikshme ekonomike dhe të komunikimeve, dhe pse jo edhe politike, do të jetë edhe fundi i tunelit të bredhjeve historike të shqiptarëve.

Exspress
Ky lajm është publikuar: 05/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›