E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet gjyqi i Fazliçit, avokatët vënë në provë Prokurorinë

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Dosja “Fazliç”

Procesi gjyqësor për kundërshtimin e zgjatjeve të afateve për hetimet e biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazliç është shtyrë. Shkak është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës. Avokati Genc Gjokutaj, ka depozituar në gjykatë një raport mjekësor, ndërsa avokati tjetër Brahim Lahi, ishte i pranishëm në një tjetër seancë gjyqësore, atë të Gërdecit. Seanca e radhës është përcaktuar në datën 11 maj. Sipas të dhënave, seanca është shtyrë për të vënë në provë Prokurorinë për mbylljen e hetimeve, pasi data e fundit është 7 maji. Hetimet për Fazliçin kanë ngecur tek letërporositë, pasi dy prej tyre ende nuk kanë mbërritur. Edhe letërporosia që ka mbërritur nga Zvicra, ende nuk i është vënë në dispozicion Prokurorisë për të bërë analizën e përgjigjes. Ky ngërç i Prokurorisë që është shkaktuar për shkak të burokracive në institucionet shqiptare duket se rrezikon seriozisht hetimet për serbo-boshnjakun.
Shtyrja
Të pyetur nga gazeta, juristë të ndryshëm janë shprehur se kjo ishte zgjidhja më e mirë që mund të ndiqej nga avokatët mbrojtës të Damir Fazliçit, pasi Prokuroria ende nuk ka plotësuar dosjen hetimore me përgjigjet e letërporosive dhe një gjë e tillë vë në pikëpyetje të madhe përfundimin e hetimeve. Edhe letërporosia e mbërritur nga Zvicra duket se nuk do t i vihet në dispozicion organit të akuzës, pasi sipas informacioneve, ajo ende nuk është përkthyer nga Ministria e Drejtësisë. Edhe nëse ajo do t i vihej në dispozicion sektorit të Task-Force, do të duhej një kohë e gjatë për të bërë ballafaqimin e të dhënave të dërguara nga Zvicra me ato të grumbulluara deri më tani nga grupi i hetimit.
Por një tjetër arsye, e cila mendohet që të jetë shkak për shtyrjen e seancës, është mosmbërritja e letërporosive nga Qiproja dhe Anglia, të cilat do të sjellin informacion të vlefshëm për hetimet. Mungesa e këtyre provave, me sa duket, ka qenë një nga arsyet që avokatët e Fazliçit kanë lënë Prokurorinë që të veprojë e para.
Gjyqi
Kërkesa e Damir Fazliçit po shqyrtohet nga gjyqtari Gjin Gjoni. Ndërkaq organi i akuzës është përfaqësuar nga dy prokurorët që kanë kryer hetimet, Dritan Rreshka dhe Besnik Cani. Por pasi është konstatuar mungesa e avokatëve, gjyqtari Gjoni ka vendosur shtyrjen e seancës për në datën 11 maj, katër ditë pas mbylljes së hetimeve. Damir Fazliçi depozitoi në gjykatë një kërkesë-ankesë për moszgjatjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë. Në seancën e djeshme, gjykata do të shqyrtonte ankimin e Fazliçit. Ai ndoqi shembullin e ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, i cili “rrëzoi” Prokurorinë në Gjykatën e Lartë, duke shpallur të pavlefshme hetimet për rrugën Durrës-Kukës. Kjo është hera e dytë që serbo-boshnjaku përballet me Prokurorinë në Gjykatën e Tiranës. Herën e parë ai ankimoi një kërkesë për heqjen e urdhrit të sekuestros mbi pronat e tij. Beteja e parë u fitua nga serbo-boshnjaku, vendim i cili u la në fuqi më pas edhe nga Gjykata e Apelit.

Afati përfundimtar më 7 maj
Prokuroria më tetë prill vendosi të shtyjë afatet e hetimit ndaj Damir Fazliçit, në pritje të ardhjes së përgjigjeve të letërporosive të dërguara në disa shtete. Sipas akuzës, arsyeja e zgjatjes së afateve hetimore edhe për një muaj, konkretisht deri më 8 maj, është bërë për shkak të pritjes së përgjigjeve të letërporosive të dërguara në Qipro, Angli, Zvicër. Dy shtetet e fundit, mësohet se kanë kthyer përgjigje dhe dosja e ardhur po përkthehet në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë, ku mendohet se brenda saj janë identifikuar pritësit e rreth 500 mijë eurove të transferuara dhe të tërhequra nga Shqipëria në drejtim të Bosnjës nga vetë personi nën hetim, Damir Fazliç, dhe bashkëpunëtorët e tij. Ndërsa, prej disa ditësh njësia e task-forcës pranë Prokurorisë së kryeqytetit ka përfunduar veprimet hetimore e procedurale në ngarkim të Fazliçit në Shqipëri, ku është provuar vetëm fakti i blerjes së rreth 14 hektarëve tokë në fshatin “Rinia” të Porto Romanos në Durrës.
Ky lajm është publikuar: 05/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›