Pranga faturistit të OSSH, shpërdoroi detyrën
Një faturist i OSSH-së ka përfunduar në prangat e policisë, pasi ishte shpallur në kërkim për shpërdorim detyre. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se shtetasi Ahmet Shehu, 46 vjeç, me detyrë punonjës i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, është arrestuar me akuzën “shpërdorim detyre”, pasi dyshohet për vjedhje të energjisë elektrike. Arrestimi i tij është kryer për shkak të akuzës për kryerjen e veprimeve abuzive dhe të paligjshme gjatë faturimit të energjisë elektrike për konsumatorët. Gjatë dy muajve të parë të këtij viti, kontrollet e brendshme në OSSH kanë gjetur shkelje dhe abuzime të mëdha me faturimin e energjisë mbi vlerën reale të shpenzuar nga konsumatorët. Në këto kushte, OSSH ka larguar nga detyra shumë punonjës të saj, që i kanë shkaktuar dëme, jo vetëm konsumatorëve, por edhe vetë asaj. Nga ana tjetër, veç lirimit nga detyra, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka referuar në prokurori dokumentet për ndjekje penale ndaj këtyre punonjësve që kanë abuzuar me detyrën. Një veprim i tillë mendohet se është kryer edhe me personin e arrestuar ditën e djeshme nga policia e kryeqytetit.
#