Tre persona të armatosur grabisin karburantin
Grabitësit kanë kryer një tjetër goditje dy net më parë në Tiranë, duke vjedhur me armë një pikë karburanti. Ngjarja ka ndodhur në Sauk, rreth mesnatës, kur në pikën e karburantit ndodhej vetëm një punonjës dhe roja, i cili nuk ka mundur të reagojë, pasi grabitësit kanë qëlluar me armë në ajër. Burimet policore bënë të ditur se për këtë ngjarje janë njoftuar nga vetë roja i dëmtuar, i cili ka telefonuar në sallën operative sapo janë larguar grabitësit. Me t’u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, ndërkohë që më vonë kanë mbërritur edhe specialistët e vjedhjeve me dhunë dhe armë. Nga dëshmitë e mbledhura ka rezultuar se tre persona kanë shkuar në pikën e karburantit “Taçi Oil” dhe kanë nxjerrë një pistoletë dhe një automatik. Ata kanë kërcënuar punonjësin e karburantit dhe i kanë kërkuar t’u japë paratë e mbledhura. Fillimisht, ai ka kundërshtuar, ndërkohë që roja ka tentuar të reagojë. Por, një prej grabitësve, të cilët ishin të pamaskuar, ka qëlluar me armë në ajër. Dy punonjësit kanë dorëzuar paratë dhe grabitësit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ku mendohet se i priste një makinë. Gjatë verifikimeve ka rezultuar se grabitësit kanë mundur të vjedhin rreth 300 mijë lekë të reja. Burimet policore shpjeguan se pas marrjes së informacionit janë rrethuar gjithë rrugët dhe kanë nisur kërkimet për të dyshuarit, por nuk kanë mundur të arrestojnë ndonjë. Më pas, policia tha se ka shoqëruar punonjësin e karburantit që ka bërë përshkrimin e personave që kishin kryer grabitjen dhe e kanë marrë për njohje mbi disa persona të shoqëruar.
#