E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhin shitësen dhe bastisin dyqanin në mes të ditës

Fier Grabitja në qendër të Fierit, policia nuk u përgjigjet në kohë

Një grabitje spektakolare ka ndodhur në mes të ditës në qendër të qytetit të Fierit. Policia që arriti në vendin e ngjarjes 40 minuta me vonesë ende nuk ka mundur të gjejë autorët e krimit. Ka qenë ora 14:45 e së mërkurës kur në qendër të qytetit të Fierit një dyqan ka rënë pre e një grabitjeje me armë. Dy djem të rinj kanë hyrë në dyqanin ku shiteshin bizhuteri, ora dhe veshje dhe kanë kërkuar të provojnë një palë pantallona. Njëri prej tyre ka hyrë në dhomën e provës, ndërsa tjetri ka thënë se donte një numër më të madh. Ndërsa shitësja gjente pantallonat me numër tjetër, një nga të rinjtë e ka qëlluar në fytyrë dhe trup. Më pas e kanë lidhur me ngjitëse në sy, duar dhe gojë. Më pas grabitësit e armatosur e kanë lënë në dhomën e provës dhe kanë marrë të gjithë sasinë e floririt që ndodhej në banakun e dyqanit. Shitëses i kanë marrë edhe telefonin, si dhe një sasi të madhe lekësh. Shitësja ka rrëfyer për “Shqip” se ashtu e lidhur është tërhequr zvarrë për disa metra duke kërkuar ndihmë nga brenda vitrinës. Në këtë moment në derën e dyqanit kanë hyrë dy vajza, të cilat pasi kanë parë shitësen e lidhur kanë kërkuar ndihmë. Rastësisht në bulevard ka qenë duke kaluar me automjetin e tij kryetari i bashkisë, Baftjar Zeqaj, i cili ka telefonuar menjëherë drejtorin e policisë, Mërgim Hoxha, dhe gati 10 herë në numrin 129. Por askush nuk ka marrë seriozisht denoncimin e kreut të bashkisë dhe kreu i policisë bashkiake, Bashkim Ymeraj, është detyruar të shkojë me makinën e tij në komisariat për të denoncuar grabitjen. Policia ka mbërritur në vendngjarje rreth orës 15:30, afro 40 minuta pas ngjarjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›