E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarrfikësi la pas gruan e sëmurë dhe dy fëmijë

Familja

Në familjen e heroit Edmond Meçka ka pllakosur zia. Gruaja e tij, Teuta, nuk gjen forcë të ngushëllohet për humbjen e parakohshme të babait të fëmijëve dhe bashkëshortit të saj. Edmondi dhe Teuta kishin 23 vjet martesë. Ata kanë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Një vit më parë, djali i zjarrfikësit të rënë në krye të detyrës ka fituar çmimin e dytë të olimpiadës kombëtare për matematikë. “Dashurinë” e tij për këtë lëndë, djali që këtë vit vijon arsimin e lartë e trashëgon nga nëna e tij, Teuta, e cila është mësuese në gjimnazin e fshatit Verri. E mbetur e vetme, me dy fëmijë jetimë, Teuta e ka të vështirë të përballojë dhimbjen. Të këqijat në familjen Meçka nuk janë ndarë që prej 7 vjetësh, kohë kur Teuta u sëmur papritur dhe i nënshtrohet një operacioni në shtyllën kurrizore. Prej asaj kohe ajo ecën me ndihmën e një paterice. Bashkëshorti, gjatë kohës që ishte në shtëpi i vinte për ndihmë në punët e shtëpisë, ndërsa çdo mëngjes e çonte në punë me biçikletë. Ky zakon i përditshëm do t’i mungojë Teutës tashmë që bashkudhëtari i saj i jetës humbi jetën në mënyrë të papritur dhe tepër tragjike. Teuta nuk ka forcë të shprehë asnjë fjalë. Vetëm mes lotëve dhe ngashërimeve të saj dallohet dhimbja e pamasë. Familja Meçka kishte një ekonomi mesatare, ndërkohë që në fshat njihen si njerëz të qetë dhe korrektë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›