E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretaret nuk i "tradhtojnë" gjyqtarët

Të gjendura mes dy zjarresh, ato kanë zgjedhur rrugën e të qenurit të mira me të gjithë. Nga njëra anë të zbatojnë me korrektësi urdhrat e ministrit të Drejtësisë dhe nga ana tjetër të mos u prishin punë gjyqtarëve me të cilët punojnë në një zyrë, por prej të cilëve po varet gjithnjë e më pak, kohët e fundit. Sekretaret e gjykatës së Tiranës prej gati dy javësh po zbatojnë me rigorozitet urdhrin e Alibeajt për të përpiluar një raport ditor lidhur me veprimtarinë e gjyqtarëve me të cilët ato punojnë. Burimet zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë thanë dje për "Shqip", se urdhrat po zbatohen dhe informacione të përditshme vijnë lidhur me zbatimin e orareve të nisjes së seancave gjyqësore, ruajtjen e solemnitetit të procesit gjykimit, si dhe motivet e shtyrjes së seancave.

Por duket se rezultatet e kësaj metode të re pune nuk janë ato që priteshin nga dikasteri i drejtësisë. Kjo pasi sekretaret nuk i kanë cenuar thuajse fare gjyqtarët me të cilët punojnë. Në raportet e tyre ditore shënohet se seancat nisin në kohë dhe të gjitha detyrimet e tjera ligjore zbatohen me përpikmëri. "Nuk gjen një raportim ku të shkruhet se seanca nisi me 3 ose 4 minuta vonesë, çka do ishte më se normale të ndodhte", thotë një burim nga kabineti i ministrit të Drejtësisë. Ai shton se në të gjitha materialet që vijnë nga sekretaret e gjykatës, konfirmohet se proceset kanë nisur fiks në orarin e paracaktuar dhe janë zhvilluar krejtësisht në rregull. E njëjta gjë vlen edhe për arsyet e shtyrjes së seancave, të cilat janë pothuajse në të gjitha rastet të mbështetura ligjërisht. Gjithsesi, i njëjti burim shton se ministri nuk ka pasur asnjëherë iluzione se me urdhrat e tij të fundit do të kishte ndryshim rrënjësor të situatës. Qëllimi i Alibeajt duket se ka qenë të mbajë nën presion të vazhdueshëm gjyqtarët, qoftë edhe nëpërmjet sekretareve të tyre, për t‘i detyruar ata të zbatojnë me përpikmëri anën formale dhe shkresore të proceseve gjyqësore.

Ndërkohë, vetë sekretaret thonë se ato pasqyrojnë në raportim atë që ndodh realisht gjatë proceseve. "Nuk kam arsye të gënjej, se unë për vete nuk kam ndonjë interes në këtë punë. Unë thjesht zbatoj urdhrin që më është dhënë dhe për këtë arsye nuk kam përplasje apo keqkuptime me gjyqtarin", thotë njëra prej sekretareve. Megjithëse urdhrat për moszbardhjen prej sekretareve të arsyetimeve të vendimeve dhe raportimin ditor për veprimtarinë e gjyqtarëve, ende nuk kanë ardhur të shkruar në Gjykatën e Tiranës, ato po vijojnë të zbatohen nga sekretaria gjyqësore.

Vetë gjyqtarët vazhdojnë të këmbëngulin se këta urdhra janë të paligjshëm dhe në tejkalim të kompetencave të ministrit, por duket se ata nuk kanë më shumë mundësi kundërshtimi. Dy ditë më parë, në krah të tyre ka dalë edhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili kishte deklaruar se gjykatat duhet të drejtohen nga gjyqtarët. Spahiu në mënyrë jo të drejtpërdrejtë kundërshtonte urdhrat e ministrit të Drejtësisë, që u japin sekretareve kompetenca kontrolluese ndaj gjyqtarëve. Por edhe kjo mbështetje e marrë nga KLD-ja nuk duket se do ta ndryshojë situatën në Gjykatën e Tiranës. Nga qëndrimet e shprehura publikisht nuk ka asnjë gjasë që ndonjë gjë e rëndësishme të ndryshojë në vendimin e Alibeajt të të rritur presionin ndaj gjyqtarëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›