Shkrehën armët në publik, pranga dy adoleshentëve
Policia lokale në Kukës ka vënë nën arrest dy protagonistë të një sherri që mund të kishte përfunduar në gjakderdhje. Një sherr mes të rinjsh në Komunën Bicaj te muret shkollës së mesme ka vënë në panik jo vetëm nxënësit, por gjithë fshatin. Tre adoleshentë, dy prej tyre nxënës të shkollës kanë shkrehur armët e zjarrit për të treguar forcën, por fatmirësisht pa kapur asnjë prej personave. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 12:00 për shkaqe banale ku siç thuhet rrezikonte të përfshinte edhe të rriturit. Burime të policisë lokale, duke konfirmuar lajmin tregojnë se grupi i gatshëm ka udhëtuar menjëherë në vendngjarje dhe ka arrestuar në flagrancë shtetasit E.Hoxha dhe Q.Halilaj, të dy nga 17 vjeç. Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim një tjetër të ri të kësaj moshe, i cili mendohet se fshihet në fshatrat e afërt. Policia ka siguruar në vendin e ngjarjes 23 gëzhoja pushke, por nuk ka mundur të sigurojë armët automatike që tmerruan qindra nxënës dhe banorë të fshatit. Nga kontrollet e ushtruara në shtëpitë e tyre nuk është gjetur asgjë komprometuese, tha një burim i policisë. Adoleshentët akuzohen për prishje të rendit publik, si dhe për armëmbajtje pa leje. "Ky është rasti i parë i prishjes së rendit në një komunë ku shumë rrallë shënohet vepra penale dhe ku prej më se gjysmëshekulli nuk është shënuar asnjë vrasje", tha një drejtues i policisë së Kukësit.