E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet pas 14 vjetësh kambana e vjedhur

Në vijim të punës që strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër po bëjnë për zbulimin e ngjarjeve të ndodhura që nga viti 1992 deri në vitin 2008, sektori i luftës kundër krimit të organizuar ka mundur të gjejë të premten një kambanë të vjedhur në Kishën Shën Nikolli të fshatit Selckë të Komunës Pogon, Gjirokastër. Informacionet e mbledhura nga agjentët e policisë në rrugë operative për vendndodhjen ka bërë të mundur gjetjen e kësaj kambane pas 14 vjetësh.

Kambana ishte e fshehur në vendin e quajtur kodrat e Manastirit, një kilometër mbi rrugën Sarandë - Ksamil. Ajo ishte e mbuluar me gurë. Nga informacionet e marra nga specialistët e këtij sektori, kjo kambanë do trafikohej për në shtetin grek. Kambana është prodhim i vitit 1895 dhe është blerë nga kontributi i fshatit Selckë në Agjio-Parashqevi në Janinë, për kishën e tyre. Kjo kambanë është rreth 50 centimetra e lartë, peshon 70 kilogramë dhe është vjedhur në vitin 1994, në fshatin Selckë në kishën e këtij fshati me thyerje. Për zbulimin e kësaj kambane kanë marrë pjesë vetëm specialistët e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Po punohet për gjetjen dhe vënien para drejtësisë të autorit të kësaj vjedhjeje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›