E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetë gardianë të dehur, terror në rrugë

Tetë gardianë të burgut të Fushë-Krujës kanë terrorizuar qytetarët, duke shtënë me armë në ajër në rrugën që lidh Laçin me Fushë-Krujën. Tetë policët ishin duke u kthyer nga një festë, kur pa asnjë shkak, të paktën njëri prej tyre, ka nxjerrë nga brezi armën e shërbimit dhe ka nisur të qëllojë në ajër, duke shkaktuar panik te personat që udhëtonin në këtë aks rrugor dhe te banorët e zonës ku dëgjoheshin të shtënat.

Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Lezhës, Elona Nika, sqaroi dje se vetëm njëri nga policët e burgut të Fushë-Krujës ka shtënë në ajër me armën e shërbimit, por të tetë personat që ndodheshin në dy makina private janë shoqëruar në komisariatet e policisë në Lezhë dhe Kurbin dhe ndaj tyre ka nisur ndjekja penale për prishje të qetësisë publike. Zëdhënësja tha gjithashtu se dy policët që drejtonin makinat do të përballen edhe me akuzën për drejtim të mjetit në gjendje të dehur.

Ngjarja e pazakontë ndodhi dje, rreth orës 15:00, kur tetë policët e burgut të Fushë-Krujës, të cilët ishin jashtë orarit të shërbimit, po ktheheshin nga një festë private që e kishin organizuar në fshatin Skuraj. Tre nga policët mësohet se mbanin veshur uniformat, pasi i ishin bashkuar festës menjëherë pas lënies së turnit në burg, ndërsa pesë të tjerët ishin pa uniforma, por të armatosur.

Gjatë rrugës, njëri nga policët ka nxjerrë pistoletën e shërbimit dhe ka nisur të qëllojë në ajër, me dorën e nxjerrë nga dritarja e makinës. Kjo skenë është parë nga dhjetëra njerëz që udhëtonin në rrugë, të cilët edhe kanë njoftuar policinë e Kurbinit me telefon.

Menjëherë në ndjekje të policëve të dehur janë vënë dy furgona të grupeve të gatshme të komisariateve të Lezhës dhe Kurbinit. Por kur punonjësit e policisë së rendit kanë tentuar të ndalojnë policët e burgut, këta të fundit kanë bërë rezistencë dhe ndërhyrja ka qenë e vështirë, për shkak se ishin në gjendje të dehur dhe të armatosur. Pasi kanë negociuar me krerët e grupeve të gatshme, policët e dehur janë bindur dhe janë "dorëzuar". Katër prej tyre janë shoqëruar e marrë në pyetje në Komisariatin e Lezhës, ndërsa katër të tjerët në Komisariatin e Laçit.

Pasi janë kryer veprimet procedurale, është vendosur që të tetë policët të ndiqen penalisht në gjendje të lirë për prishje të qetësisë publike, ndërsa dy prej tyre edhe për drejtim të mjetit në gjendje të dehur. Materialet për ngjarjen i kanë kaluar Prokurorisë së Lezhës, ndërkohë që për incidentin është njoftuar Drejtoria e Burgut të Fushë-Krujës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që pritet të marrin vendim për pezullimin e punonjësve të tyre deri në përfundim të hetimeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›