Fuzhi, Tojota tërhiqet nga organizimi i garës
Tojota ka hequr dorë nga organizimi i Çmimit të Madh të Japonisë, në cirkuitin Fuzhi Spiduej të Shizuokas. Në kuadër të politikave për uljen e kostove, për shkak të krizës ekonomike, skuderia ka vendosur që të mos jetë organizatore e garës së ardhshme në Botërorin e Formula 1. Në fund të majit, një zëdhënës i prodhuesit japonez kishte përgënjeshtruar spekulimet e publikuara në media, të cilat flisnin për këtë vendim, por tashmë ka ardhur edhe konfirmimi zyrtar nga drejtuesit e Tojotas.