Honda kërkon edhe Lorencon, në "pjatë" rreth 5 mln euro
Japonezët e Hondës i adhurojnë spanjollët. Kështu, pas periudhës së lumtur me Dani Pedrozën, tani është koha për të ndjekur Horge Lorencon. Një situatë e tillë të kujton dikë që ka të dashur, por që lë kokën për miken e saj të ngushtë. Po ndodh si në dashuri: Honda ka avancuar me një ofertë, me shpresën se do të vijnë edhe sinjalet pozitive. Sinjale që Horge edhe mund t‘ia japë, ngaqë në "pjatë" duket se janë hedhur jo pak para: 5 milionë euro. Një operacion i rëndësishëm, që po sponsorizohet nga kolosi spanjoll "Telefonica". Një zgjedhje interesante për majorkezin, që nuk do të shkojë për të qëndruar në bokset e HRC-së, por po shkon në një skuadër, në të cilën do të gjente motorin zyrtar dhe strukturën e dedikuar. Është çështje sponsorësh. "Repsol"-i, me të cilin është lidhur Pedroza, mund të largohet nga Honda. Situatë e pastabilizuar është edhe ajo e Danit, i cili nuk është se do ta mirëpriste shumë ardhjen e bashkëkombësit të tij në të njëjtin motor, pasi mund të jetë ai që sakrifikohej. Por nëse Lorenco pranon, do të fitonte dyfishin e asaj që përfiton tani.