E Diel, 1 Nëntor 2026

Dërgohet në gjyq autori i ekzekutimit me thikë në Tiranë, 16 vjet më parë

TIRANE – Autori i një vrasje të ndodhur në vitin 1992 është dërguar për gjykim në Gjykatën e Tiranës 16 vite pas krimit që kishte mbetur pa autor. 

Prokuroria e Tiranës ka arritur pak ditë më parë të zbulojë autorin dhe mekanizmin e krimit ku mbeti i vdekur 16-vjeçari Shpëtim Dapi, i cili është qëlluar disa herë me thikë në bark nga një bashkëmoshatar i tij. Elvin Osmanaj, është personi i akuzuar nga Prokuroria e Tiranës si autor i ngjarjes, i shpallur në kërkim pak ditë më parë. Prokuroria tha se, pak ditë më parë ka përfunduar edhe procedura e hetimeve paraprake për dosjen e rihapur disa muaj më parë e cila është dërguar për gjykim në Gjykatën e Faktit në kryeqytet. Sipas Prokurorisë, vrasja që nga koha kur kishte ndodhur, mbeti e pazbuluar dhe pa autor, për shkak se hetuesit nuk kishin mundur të mblidhnin prova të mjaftueshme për përfshirjen e Osmanajt në krimin e vrasjes ndaj Shpëtim Dapit. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në rrugën “Thanas Ziko”, më 14 maj të vitit 1992, ku viktima dhe autori, të dy bashkëmoshatarë janë grindur për motive banale mes tyre. Sipas hetimit, dy adoleshentët kanë nisur të grinden në rrugë dhe më pas të shahen dhe të goditen me grushte. Më pas, sipas hetimeve, 31-vjeçari Osmanaj, në atë kohë vetëm 16 vjeç, ka marrë një thikë dhe i ka prerë rrugën bashkëmoshatarit të tij me të cilin ishte në konflikt. Ai ka qëlluar viktimën disa herë me një thikë në bark duke i shkaktuar dëmtime vdekjeprurëse. Nga plagët e marra prej goditjeve me thikë, Shpëtim Dapi është dërguar në spital vetëm formalisht, pasi kishte qenë i pashpresë. Sipas policisë, pas këqyrjes së trupit, viktima kishte marrë disa goditje me thikë në trup të cilat kishin shkaktuar plagë dhe humbje të konsiderueshme gjaku. Ndërkaq edhe pse policia kishte kryer një seri veprimesh hetimore në atë kohë, dosja për motive ende të panjohura ishte pezulluar. Që prej asaj kohe veprimet hetimore të kryera për llogari të zbulimit të kësaj ngjarjeje kanë qenë thuajse të pakonsiderueshme. Rreth tre muaj më parë, oficerët e hetimit të vrasjeve kanë rishikuar dosjen e pluhurosur të vrasjes së Shpëtim Dapit. Fillimisht policia ka marrë deklarimet e të afërmve të adoleshentit të vrarë me thikë. Gjithashtu janë rimarrë deklarimet e dëshmitarëve të vendit të ngjarjes, si dhe persona të tjerë që sipas policisë kanë pasur dijeni mbi ngjarjen. Nga të gjitha veprimet hetimore, policia ka dokumentuar dhe identifikuar si autor të vrasjes së adoleshentit Dapi, bashkëmoshatarin e tij, Elvin Osmanaj i cili gjykohet në mungesë për vrasjen që dyshohet se ka kryer 16 vite më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›