E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vetëvarur “vrasësi” i Remzi Hoxhës

LAÇ – Dy javë pasi tentoi të vetëvritej duke u shprehur se ishte dënuar për vrasjen e Remzi Hoxhës, Lefter Basha gjendet i pajetë. 

Trupi i 44-vjeçarit u zbulua i varur në një pemë paraditen e djeshme, në afërsi të fshatit Gjorm të Laçit. Vetëvrasja e tij u zbulua nga kalimtarë të rastit, të cilët lajmëruan policinë e qytetit. Menjëherë është arritur të identifikohet personi që në fillim të muajit mbajti peng forcat speciale për 3 orë, pasi kërkonte të vetëhidhej nga një lartësi prej rreth 50 metrash. Gjatë kësaj kohe, ai deklaronte se e kishin dënuar për vrasjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i cili i kishte bujtur një natë para krimit në shtëpi. Për dënimin me vrasje ai kishte akuzuar ish-bashkëshorten se kishte bashkëpunuar në dënimin e tij, duke kërkuar arrestimin e saj. Pas ngjarjes, policia deklaroi zyrtarisht se dëshmia e 44-vjeçarit ishte e sajuar si pasojë e problemeve mendore që kishte shfaqur 4 vitet e fundit. Nga verifikimet nuk rezultonte se ish-punonjësi i policisë kishte takuar me Remzi Hoxhën, fati i të cilit ende nuk dihet, apo të ketë pasur ndonjë lidhje me të ose me përfaqësuesit e SHIK-ut. Por, megjithëse u deklarua person me probleme mendore dhe që rrezikonte sërish një ngjarje të tillë nëse nuk kurohej, Basha nuk u dërgua në ndonjë qendër rehabilitimi. Ai u kurua vetëm atë ditë në spitalin e Lezhës, për t’u rikthyer në shtëpinë  e tij në Laç. Në këto kushte ai ka arritur të kryejë vetëflijimin, në tentativën e dytë brenda pak ditësh, këtë herë pa dëshmitarë që të mund ta ndalonin t’i jepte fund jetës. Lefter Basha jetonte i vetëm në banesën e tij, në afërsi të spitalit të Laçit, pasi nga divorci fëmijët jetonin me ish-gruan. Pas ngjarjes së djeshme, policia e Laçit ka konfirmuar se vetëvrasja ka ndodhur për shkak të depresionit të rëndë të 44-vjeçarit. Kjo gjendje i ishte shfaqur pas divorcit pak vite më parë e më pas i është rënduar nga fakti se ishte i papunë, duke e shtyrë drejt vendimit të vetëvrasjes. Trupi i pajetë është dërguar dje në morgun e qytetit, ndërsa janë lajmëruar familjarët për humbjen e tij.                       r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›