"Ministria e Mjedisit po dëmton koranin"
POGRADEC– Sikur të mos mjaftonte keqpërdorimi i ujërave të liqenit të Pogradecit dhe shkatërrimi i faunës së tij, kohët e fundit Ministria e Mjedisit ka nisur ta "licensojë" këtë aktivitet. Kryetari i Komunës së Buçimasit, Roshi Tollozhina, kohët e fundit ka parë tek persona privatë leje nga Ministria e Mjedisit për ngritjen e vaskave të peshkut të troftës mbi ujërat e lumit të Drilonit, i cili derdhet në liqen. Një shkelje nga më të rëndat pasi trofta është një peshk grabitqar, e cila shkatërron rasatet e peshkut të rrallë të koranit. Disa herë janë organizuar aksione të ndryshme për heqjen e të gjitha vaskave por sapo ato përfundojnë, ngrihen vaskat e reja si "kërpudhat pa shiut". Kryetari i komunës Buçimas, Roshi Tollozhina thotë se grupe të caktuara shpesh përdorin dy standarde për të përfituar nga favoret politike duke kontrolluar pasuritë natyrore duke krijuar edhe tensione midis banorëve lokalë. "Është vetë Ministria e Mjedisit që i shkel me të dyja këmbët ato që ka miratuar dhe nënshkruar nëpër konventa dypalëshe për ruajtjen e liqenit të Ohrit i cili mbrohet me ligj që nga viti 1980 edhe nga UNESKO pasi është shpallur pasuri e saj", pohon kryekomunari.