E Shtunë, 31 Tetor 2026

Velipojë, nis shembja e 57 ndërtimeve në bregdet

 Në këtë plazh numërohen mbi 900 ndërtime, shumica pa leje. Aksioni, mbështetur në masterplanin e zonës

SHKODËR-Inspektorati ndërtimor i Tiranës, në bashkëpunim me atë të Shkodrës, nisën dje prishjen e 57 ndërtimeve në plazhin e Velipojës. Sipas kryetarit të komunës Velipojë, Nikollë Marku, ky aksion do të vazhdojë tre ditë dhe objekt i tij janë 57 ndërtime që janë bërë afër vijës bregdetare nga qendra e plazhit në drejtim të Vilunit. Këto ndërtime pa leje janë ngritur prej shumë vitesh dhe janë objekte që kanë shërbyer si bare, restorante apo pika të ndryshme tregtimi, por dhe shtëpi banimi. "Vendimi për prishjen e tyre është marrë sepse ato rezultojnë të ngritura në kundërshtim me masterplanin ekzistues dhe shumë afër vijës bregdetare",- tha Marku, duke shtuar se pronarët e tyre janë lajmëruar më parë për ekzekutimin e vendimit dhe dje ishte vetëm faza e parë e aksionit. Në mbështetje të inspektoratit ndërtimor ka qenë dhe policia e rendit, por nuk ka pasur kundërshtime nga pronarët e objekteve. Në plazhin e Velipojës, sipas të dhënave, janë evidentuar mbi 900 ndërtime, ku vetëm një numër shumë i vogël ka leje ndërtimi. Kjo zonë, si zonë turistike nuk është përfshirë në procesin e legalizimit të ndërtimeve, ndërsa masterplani i miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2004 ka përcaktuar fatin e mjaft ndërtimeve të ngritura prej vitesh. Ndërkohë, që në përputhje me këtë masterplan strukturat përkatëse japin leje ndërtimi dhe për objekte të reja që vazhdojnë të ndërtohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›