E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv/ministri i Drejtësisë porosit shtëpinë 112 mijë $

 

Eduard Halimi ka bërë lëvizje financiare në shifra më të larta se 100 mijë euro duke shitur e blerë shtëpi e garazhe

TIRANË- Një ndër zv/ministrat më të pasur të qeverisë Berisha, Eduard Halimi, ka vazhduar edhe këtë vit që të bëjë blerje e shitje të konsiderueshme. Vlerat totale të tyre i kalojë 100 mijë eurot. Këto të dhëna janë pohuar nga vetë zv/ministri i Drejtësisë në deklarimin e tij të pasurisë. Duke nisur nga deklarimi i parë, kur ka marrë postin, Halimi kishte pasuri e asete në rreth 50 milionë lekë të reja dhe tashmë ai është duke administruar ato e duke nxjerrë fitime.

Kështu në deklarimin e pasurisë, zv/ministri i Drejtësisë ka shënuar se ka arritur që të shesë një apartament që kishte në pronësi. Apartamenti i ndërtuar përpara vitit 1991 është shitur më 18 gusht të vitit të kaluar për 55 mijë euro. Por për të kompensuar këtë apartament, ai ka porositur menjëherë një tjetër. Apartamenti i ri është në rrugën "Abdyl Frashëri" dhe është duke u ndërtuar ende. Vlera totale e tij do të jetë 112 mijë dollarë. Sipas deklarimit zyrtar të pasurisë së Zv/ministrit, ai ka tërhequr 30 mijë euro nga një prej llogaritë e tij bankare. I ka konvertuar ato në dollarë (44.800 dollarë) dhe ia ka paguar shoqërisë që po ndërton pallatin ku ai do të marrë apartamentin e ri. Apartamenti është në bashkëpronësi me bashkëshorten e tij dhe deri në blerjen e tij të plotë duhet të paguhen edhe 67.200 dollarë amerikanë.

Një nga investimet më të mira të zv/ministrit Halimi është blerja tre vite më parë e një sipërfaqe tek Kullat Binjake, një nga vendet më të shtrenjta të kryeqytetit. Sipërfaqja është blerë për më shumë se 250 mijë euro por zv/ministri ka nisur që tani të nxjerrë fitime prej saj. Ai e ka dhënë me qera pjesën e tij dhe sipas deklarimit zyrtar, gjatë një viti ka marrë jo pak por 27 mijë euro. Nëse vazhdon me këtë ritëm, brenda dhjetë vitesh ai do të nxjerrë paratë e shpenzuara për blerjen e shtrenjtë. Kësaj blerjeje i është shtuar edhe një garazh prej 19 metrash katrorë. Garazhi ndodhet në të njëjtin vend me dyqanin dhe është blerë për 15 mijë euro. Shifrat tregojnë se garazhi është blerë me 790 euro metri katror.

Të ardhurat e zv/ministrit të Drejtësisë për këtë vit kanë qenë 1.700.060 lekë të reja si dhe 680 mijë lekë të reja nga bashkëshortja. Me këto para ai ka paguar tre mijë euro për një kredi të marrë në vitin 2005, nga e cila i kanë mbetur pa shlyer edhe katër mijë euro. Në një tjetër kredi të vjetër, Halimi ka paguar 10 mijë euro ndërsa ka për të paguar edhe 20 mijë të tjera. Përveç shpenzimeve, Eduard Halimi ka deklaruar në ILDKP edhe gjendjen e llogarive të tij bankare. Nga to tregohet se ai ka shtuar 16 mijë euro në një llogari ku totali është 42 mijë euro dhe në tjetrën ndodhen 58 mijë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›