E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha bën bilancin: Përmbyllëm me sukses emergjencën

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, e ka cilësuar të suksesshëm operacionin e emergjencave civile në zonat e përmbytura, pasi u realizua objektivi kryesor, që ishte shpëtimi i jetëve njerëzore. “Ky operacion është klasifikuar si i suksesshëm, jo vetëm nga autoritetet këtu, por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, për faktin se realizoi me sukses të plotë objektivin e tij më parësor, moshumbjen e asnjë jetë njerëzore”, - deklaroi Basha. Ai bëri edhe bilancin e punës që emergjencat civile kryen gjatë kohës që nisën përmbytjet deri ditën e djeshme. “Kemi evakuuar 5.172 persona dhe transportuar rreth 315 ton ushqime. Sipërfaqja e përgjithshme e përmbytur arriti në 11.400 ha tokë nën ujë dhe rreth 2.649 shtëpi të përmbytura, por ndërhyrja e emergjencave ishte e suksesshme dhe situata po shkon drejt normalizimit”, - u shpreh ministri. Në konferencën për shtyp të zhvilluar ditën e djeshme, kryetari i Komisionit Ndërministror për Emergjencat Civile informoi edhe për planin e masave që po merret për dezinfektimin në sipërfaqet e tokave që kanë qenë të përmbytura, për të shmangur ndonjë epidemi të mundshme. “Ky plan masash është fare i detajuar, përcakton qartë se çfarë masash duhen marrë për ujin e pijshëm, për groposjen e detyruar të gjësë së gjallë, por deri tani dëmi në bagëti është minimal. Por edhe për rastet e raportuara të merren menjëherë masat për homogjenizimin e zonës, për të shmangur rrezikun e impaktit negativ që mund të ketë për shëndetin publik”, - vazhdoi ai. Basha informoi edhe për punën që po vazhdon të bëhet në zonat me probleme nga ana e ekipeve të ushtrisë dhe emergjencave civile. “Është treguar kujdes për mbrojtjen e argjinaturave për të minimizuar efektet e përmbytjes dhe kujdes maksimal për të pasur nën kontroll territorin për sa i përket rendit, sigurisë publike, sigurisë, shëndetësisë, furnizimit me ujë dhe energji elektrike”, - u shpreh ministri. Sipas kryetarit të Komisionit Ndërministror të Emergjencave, uji është tërhequr në pak më shumë se 1/3 e tij dhe numri i shtëpive të përmbytura po shkon drejt përgjysmimit. Gjithashtu, shkarkimet nga Vau i Dejës, ku mblidhen ujërat nga dy hidrocentralet e tjerë kanë rënë me 4-5 herë, krahasuar me nivelin maksimal të tyre. Ministri i Brendshëm sqaroi se totali i ujit të derdhur është 2.077.232.400 metër kub ujë për sekondë, ndërsa kapaciteti i Vaut të Dejës është 580 milionë metër/kub ujë, duke theksuar se situata është menaxhuar mirë nga ana e qeverisë dhe përmbytja ka ardhur si pasojë e fatkeqësisë natyrore. Basha u shpreh se nën drejtimin e Komunitetit Ndërministror të Emergjencave janë mobilizuar për realizimin e operacioneve çdo ditë mbi 900 forca të armatosura të Republikës së Shqipërisë, rreth 115 forca të ushtrive të tjera, si forca italiane, kosovare, greke e maqedonase. Ndërkohë, ministri u shpreh se banorëve të zonës së Shkodrës u është dhënë urdhër që të mos përdorin ujin e ujësjellësit, pasi po kryhen kontrolle nga ana e specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik për sa i përket cilësisë së tij. Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur ditën e djeshme u bënë publike edhe fondet e mbledhura në llogaritë bankare në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura. Sipas ministrit të Brendshëm, në llogaritë bankare janë në gjendje 110 milionë lekë të reja e 250 mijë euro

Shkodër, uji thahet në lagjet periferike, zona drejt rehabilitimit

Situata në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës vazhdon të përmirësohet, ku uji po thahet në lagjet periferike. Ndërkohë në disa banesa ende ka probleme, pasi uji nuk është larguar plotësisht. Banorët po fillojnë të kthehen në shtëpitë e tyre, ku kanë nisur nga puna për rregullimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet. Një problem në qytet është uji i pijshëm, i cili sipas specialistëve të emergjencave civile, nuk duhet të konsumohet nga banorët, pasi duhen pritur rezultatet e analizave nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Ndërkohë që në lagjen “Salo Halili”, ujërat e zeza kanë vërshuar në rrugë, duke vështirësuar situatën. Ndërkohë, vazhdon puna nga ana e ekipeve për tërheqjen me anë të pompave të ujërave në zonat e përmbytura.

SRS, ndihma ndaj banorëve të zonave të përmbytura në Shkodër

Organizata jo-qeveritare Sfida Rinore Sociale ka kontribuar duke shpërndarë ndihma ndaj banorëve të zonave të përmbytura në Shkodër. Përfaqësues të saj kanë qenë në godinën e konviktit të vajzave të një prej fakulteteve të qytetit, ku qëndrojnë të strehuar përkohësisht 128 persona, ku dhuruan ndihma materiale, me vlerë mbi 1 mijë euro, ku përfshiheshin veshmbathje, artikuj ushqimorë. Kjo veprimtari u mundësua me bashkëpunimin e bizneseve private, ku veçohen kompania “Kristal 2001” dhe pastiçeria “Vittoria”. Sipas përfaqësuesve të organizatës, të dëmtuarve nga përmbytjet u duhet ardhur në ndihmë, për t’iu gjendur pranë në këto momente të vështira.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›