E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurt kronika

Elbasan, dy të vdekur dhe pesë të plagosur nga aksidentet

Dy persona humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur, si pasojë e dy aksidenteve të ndodhura në akset rrugore të rrethit të Elbasanit. Sipas burimeve nga policia, rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme, u përplasën dy automjete në aksin rrugor Elbasan-Cërrik. Ngjarja ndodhi afër vendit të quajtur “Tek Pishat” dhe të përfshira në aksident ishin autoveturat me targa EL 2423 B dhe TR 84 44 L. Si pasojë e përplasjes humbi jetën 70-vjeçari Refat Dyrma, ndërsa u plagosën Eduard Dyrma, 38 vjeç dhe Sulejman Debrova, 38 vjeç. Ndërkohë në po të njëjtën orë në aksin rrugor Elbasan-Librazhd ndodhi aksidenti i dytë, ku u përfshinë një kamion, dy autovetura dhe një karrocë. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Labinot Fushë. Për pasojë humbi jetën, drejtuesi i karrocës, 41-vjeçari Rexhep Kumuria. Ndërsa mbetën të plagosur 22-vjeçari Esat Duraku dhe vëllai i tij Avni Duraku, 20 vjeç. Plagë të rënda mori edhe 57-vjeçari Osman Qosja. Ndaj tyre është dhënë ndihma e parë, duke i dërguar ata në spitalin e qytetit. Pas ndërhyrjes së mjekëve, ata janë jashtë rrezikut për jetën.

Durrës, sekuestrohet 1.8 kg heroinë në një makinë të braktisur

Policia e Durrësit ka sekuestruar një sasi prej 1.8 kg lënde narkotike të llojit heroinë, në një makinë të braktisur në aksin rrugor Durrës-Shijak. Sipas burimeve nga policia, droga ishte e fshehur në një automjet tip “Golf” pa targa dhe pa dokumente. Nga informacionet zyrtare u sekuestrua përveç heroinës, 0.45 gramë kokainë dhe 4.4 gramë kanabis sativa. Patrullat e policisë kanë parë makinën e parkuar dhe pas kontrollit të kryer, kanë gjetur të fshehur sasinë e drogës. Nga informacionet e marra vazhdojnë hetimet për të gjetur zotëruesit e lëndës narkotike të sekuestruar. Në automjet nuk janë gjetur dokumente, të cilat mund të çojnë drejt zotëruesve të drogës.
Artur Ajazi

Durrës, arrestohet një person për grabitje, në kërkim një 23-vjeçar

Policia e Durrësit vuri në pranga një 53-vjeçar, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale të vjedhjes. Ndërkohë që është shpallur në kërkim një person tjetër, bashkëpunëtor me të ndaluarin. Nga uniformat blu u organizua operacioni “Butiku”, ku u ndalua Vasil Toni, lindur dhe banues në qytetin e Durrësit. Sipas policisë, arrestimi i tij u krye, pasi akuzohet se ka grabitur nga një lokal në këtë qytet televizorë plazma 32-polësh, aparat dixhital, duke i fshehur ato në një mjedis tjetër. Ndërkohë që po punohet për arrestimin e 23-vjeçarit Harallamb Ndoni, nipi i Vasil Tonit, pasi dyshohet të ketë vjedhur disa lokale e butikë edhe ai në qytetin e Durrësit. I riu dyshohet për vjedhjen me thyerje të butik “Nino Vitali”, ku është marrë një sasi mallrash prej 2 milionë lekësh; atë të butik “Fashion” ku janë marrë mallra me vlerën e 5 milionë lekëve; vjedhja e kishës ortodokse ku janë vjedhur tre ikona, si edhe vjedhja e lokalit “Bar Kafe – Jona” në qytetin e Durrësit. Ndërkohë që vazhdojnë hetimet për grabitje të tjera të kryera nga grupi.

Devoll, zhduket 45-vjeçari, dyshohet i mbytur në lumë

Një 45-vjeçar është denoncuar i zhdukur në fshatin Peruhat të Devollit. Sipas burimeve nga policia, Theodhori Noni është larguar ditën e premte dhe nuk është kthyer më në banesën e tij. Familjarët janë shqetësuar nga mungesa dhe kanë bërë denoncimin në polici. Sipas informacioneve të marra, 45-vjeçari u kishte thënë familjarëve se ai nuk do të kthehej më në banesë dhe do të shkonte të mbytej në lumë. Sipas deklaratave të familjarëve, Noni kishte disa kohë që vuante nga depresioni. Familjarët kanë nisur kërkimet në lumin Drino, ku kanë gjetur rrobat e 45-vjeçarit. Ndërkohë që vazhdojnë kërkimet për gjetjen e të zhdukurit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›