Deri ku ka shkuar kriza
Nikollaq Neranxi
Në bazë të fakteve të tremujorit të katërt të vitit të kaluar dhe të ditëve të para të këtij viti, rezulton se kriza tashmë ka përfshirë vendin tonë në të gjitha hallkat e ekonomisë. Më konkretisht sektorët më të prekur janë: Minierat dhe metalurgjia, industria e naftës, industria tekstile, bizneset e ndërtimit, transporti etj. Ka rënie të remitancave dhe zhvlerësim të lekut. Të gjitha këto ulje në prodhim, ndërtim, shërbime, ndikojnë në rritjen e papunësisë dhe në uljen e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Për këtë mjafton të përmendim faktin se, sipas përllogaritjeve të FMN dhe BB, këtë vit krahasuar me vitin e kaluar rritja ekonomike parashikohet të jetë rreth 3.5%, nga 6% që ishte në vitin 2008. Po flasim për një krizë të importuar, e cila e gjen vendin tonë në kushtet e një ekonomie gjithashtu shumë problematike, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të gjenden rrugët për ta përballuar atë. Krahas rolit të shtetit, i cili është primari, duhet të marrin përsipër detyra edhe partnerët socialë, si organizatat e sindikatave, të punëdhënësve etj. Duhen bërë studime nga ekspertët më të mirë të vendit, ku detyrimisht të përfshihen institucionet shkencore, me qëllim që pasojat e krizës të jenë sa më minimale. Si fillim duhet bërë një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit Kombëtar të Punës, ku të diskutohen dhe propozohen masat që duhet të merren për përballimin e krizës botërore në ekonominë dhe financat tona. Në këtë kuadër është e domosdoshme që të kreditohen bizneset që rrezikohen të falimentojnë si dhe fermat bujqësore, me qëllim që të sigurohet rritja e prodhimit vendas. Në të kundërt do të vazhdojë rritja e papunësisë, do të ulet prodhimi i brendshëm bruto si dhe të ardhurat e shtetit. Për ato grupe sociale të popullsisë me standard jete të ulët, duhet të bëhet indeksimi i të ardhurave nominale aktuale me indeksin e inflacionit që parashikohet. Por masa, e cila duhet marrë me urgjencë, është ndryshimi i mënyrës së pagesës së TVSH-së të bizneseve, të cilët kanë dhe numrin më të madh të punësuarve dhe janë gjithashtu shtylla kryesore e ekonomisë së vendit. Parapagimi i TVSH-së së këtyre sipërmarrjeve ka krijuar probleme të mëdha si për kompanitë vendase dhe ato të huaja, të cilat përdorin fuqinë punëtore vendase dhe më pas shesin prodhimet e tyre jashtë. Diskutohet kaq shumë për faktin se qeveria nuk rimburson dot TVSH-në e kompanive fason dhe kjo është një nga faktet se është e gabuar marrja e TVSH-së, prandaj dhe dhënia vështirësohet. Nuk është faji i sipërmarrjeve private se shteti nuk mund të kontrollojë shitjen brenda vendit. Prandaj duhet ndryshuar menjëherë ky mekanizëm, i cili nuk ekziston në asnjë vend, madje as në ato fqinje si Maqedonia apo Mali i Zi. Të parapaguash TVSH-në për një mall që nuk e ke shitur akoma, vë në vështirësi të madhe sipërmarrjen private në përgjithësi, por edhe konsumatorin. Një tjetër problem i madh është edhe diferencimi i TVSH-së së mallrave të shportës, i cili vijon të jetë shumë i lartë në krahasim edhe me vendet fqinje, duke ia bërë jetën një ferr të vërtetë konsumatorëve, pasi mallrat e shportës nuk mund të blihen sipas takatit, ato janë domosdoshmëria e gjithkujt. Nëse thuhet se sot çmimi i shumë mallrave është ulur, kjo nuk vjen si rezultat i politikave të mira që ka ndjekur qeveria, por si rezultat i korrupsionit të madh në dogana me privilegjimin që iu bëhet disa sipërmarrjeve dhe natyrisht mospagimi i 20 përqindëshit i krijon atyre mundësi të dalin më lirë në treg, duke shkatërruar kështu konkurrencën e ndershme dhe duke rritur papunësinë. Informaliteti dhe korrupsioni në nivele të frikshme bën që kriza të ndjehet akoma më shumë, duke u kthyer në goditje fatale për ekonominë shqiptare. Të vlerësohet me seriozitet mundi dhe djersa e të gjithë atyre sipërmarrjeve private, të cilat kanë kaluar shumë vështirësi këto 19 vjet. Le të marrim një mësim nga Çurçilli, i cili vendosi bazat e një ekonomie të shëndoshë në vendin e tij. Ai thoshte: “Biznesin mos e trajtoni si një tigër për ta vrarë apo si një lopë për ta mjelur, por si një kalë që tërheq një karrocë të madhe mbi të cilën rrinë të gjithë të punësuarit, buxheti i shtetit, me një fjalë mirëqenia e vendit”.