“Prioritet zhvillimi i postës”
Kryeministri Berisha priti dje një delegacion të Postës Italiane, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv i saj Massimo Sarmi. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori Italian në Shqipëri, Saba D’Elia. Sarmi i shprehu kryeministrit besimin që marrëveshja e bashkëpunimit, që do të nënshkruhet midis Postës Shqiptare dhe asaj Italiane, do të finalizohet me forcimin e marrëdhënieve midis dy institucioneve, me rritjen e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe përmirësimin e cilësisë së tyre. Në këtë drejtim, ai prezantoi shërbime elektronike të kryera nëpërmjet postës dhe telefonisë celulare, të tilla si transfertë të parave, shpërndarje të ndihmës sociale dhe shërbimeve të tjera qeveritare, si shërbime me certifikata apo të tipit konsullor. Nga ana e tij Kryeministri Berisha theksoi se përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve, pjesë e të cilave është edhe Posta Shqiptare, është ndër objektivat e rëndësishëm të qeverisë shqiptare. “Shtrirja e e-government në të gjitha llojet e shërbimeve dhe në të gjitha skajet e Shqipërisë, është pjesë e reformave të ndërmarra nga qeveria. Përfitimi nga eksperienca pozitive italiane në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm”, u shpreh Berisha. Sipas tij, bashkëpunimi midis të dyja postave duhet thelluar më tej. “Do të jetë pjesë e zinxhirit të madh të shërbimeve elektronike që qeveria shqiptare ka filluar tashmë të aplikojë në sistemin e taksave, të prokurimeve dhe i ka kërkuar edhe sistemit bankar të fillojë ta aplikojë atë sa më parë”, tha Kryeministri.