Pas protestave, invalidët futen në grevë urie
Futen në grevë personat me aftësi të kufizuar, para e tetraplegjikë. Pas disa muajsh protestash, përpara institucioneve përkatëse, për një zgjidhje te kërkesave të tyre ekonomike, ata nuk kanë marrë një përgjigje. Në këtë mënyrë, sipas tyre, rruga e vetme mbeten masat ekstreme si greva e urisë. Kërkesat e tyre janë për rritje të fondit të paketës higjeno-sanitare, të karburantit, si dhe të fondit për kujdestarinë. Gjithashtu ata shprehen se nuk kanë asnjë lehtësi, qoftë në ambientet publike, por edhe në ato të banimit, ku mungon infrastruktura e posaçme për këtë kategori personash. Në grevë urie kanë hyrë rreth 20 përfaqësues ndërkohë që sipas drejtuesve të shoqatës mendohet që asaj t’i bashkohen dhe persona të tjerë nga rrethe të ndryshme të vendit. “Me dhjetëra protesta dhe asnjë zgjidhje. Shteti na ka harruar dhe kjo nuk është aspak e drejtë dhe e moralshme”, shprehen ata. Në vendin tonë numërohen 4500 paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të cilët kërkojnë mbështetje nga institucionet e vendit. “Do të ngujohemi derisa qeveria të vendosë për plotësimin e kërkesave”, pohojnë përfaqësuesit e tyre. Nga sa pranojnë, në grevë nuk janë futur për luks, por për të përmirësuar disi jetesën”. Kemi shumë probleme, por duam zgjidhjen e atyre më emergjente. Rritja e paketës higjeno-sanitare, nga 120 mijë lekë në muaj, në 30 mijë lekë, pasi nevojat fiziologjike para dhe tetraplegjikët i kryejnë pa vetëdije. Të marrim 80 litra karburant siç kemi marrë gjithnjë. T’u njihet siguracioni shoqëruesit që na shërben dhe për sa kohë që na shërben të paguhet në bazë të pagës minimale” - u shpreh dje Mybere Prizreni, Kryetarja e Shoqatës së Invalidëve.