E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urgjencat, fakultet 4 vjeçar për specializimin e mjekëve

 

zirina llambro

“Shërbimi i urgjencës do të përfshihet nga një reformë e thellë”. Këtë deklaratë bëri dje Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo.    Sipas saj do të ndërhyhet në infrastrukturë, staf dhe aparatura. Kështu pritet të ndryshojë disi gjendja aktuale, ku pjesa më e madhe e urgjencave në spitale lë për të dëshiruar. Në jo pak raste mungojnë shtretërit e pacientët trajtohen në karrige. Përpos reformimit, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të investojë edhe në specializimin e personelit. Një degë e re do të hapet pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, për të përgatitur mjekët. “Ky kurs 4 vjeçar do të ketë për qëllim të trajnojë mjekët, për të përballur traumat e rënda kur paraqiten në shërbimin e urgjencës. Këto kanë të bëjnë më trajnimin në praktikat e reanimacionit, të stabilizimit të pacientit”, tha Godo. Ajo nënvizoi se një kurs i ngjashëm me të ka nisur të zbatohet në vend me ndihmën e rajonit të Puglias. Janë 50 mjekë që do të jenë pjesë e tij, duke u aftësuar më mirë për të dhënë shërbim në urgjencë, për një periudhë 1 mujore. “Synimi ynë është përmirësimi i shërbimit të urgjencës në rang kombëtar, pasi aty është përballja e parë e qytetarëve me bluzat e bardha. Aktualisht po lëvizim në tre drejtime, ku kryesor mbetet përmirësimi i infrastrukturës, pajisja me aparatura  dhe ngritja e perfeksionimi i kapaciteteve njerëzore”, tha Godo. Sa i përket këtyre elementëve, që do të çojnë në përmirësimin e shërbimit, ministrja nënvizoi gjithçka do të realizohet me anë të financimit nga koperacioni italian, si dhe nga një projekt i qeverisë japoneze. Përfundimisht projektet e ministres Godo, nuk përkojnë kurrkund me ato të ish-ministrit Ndoka. Menjëherë pas marrjes së postit, ai deklaroi se brenda një kohe shumë të shkurtër shërbimi i urgjencës do të privatizohej. Kjo gjë në fakt nuk u realizua. Nga sa tregojnë deklaratat aktuale, ky projekt nuk ka rezultuar të jetë shumë efektiv. Për rrjedhojë nuk ka asnjë shans që të vihet në zbatim. Urgjencat do të mbeten ashtu siç janë në shumë vende të botës, shtetërore dhe me shërbim tërësisht falas për pacientët. Qendra spitalore “Nënë Tereza” mbetet më problematikja në këtë drejtim. Aty dynden të sëmurët e gjithë rretheve të vendit. Duke mos pasur shumë besim te poliklinikat, qytetarët vijnë në QSU edhe për problemin më të vogël shëndetësor.

Urgjencë dytësore për QSUT
Brenda ambienteve të QSUT pritet të ngrihet një urgjencë e madhe polivalente. Ajo do të shërbejë si qendër pritëse, ndihmëse për të gjitha rastet e “shpejta”. Urgjenca e dytë, mendohet të jetë një zgjidhje imediate për problemin e mbingarkesës dhe fluksit të pacientëve që grumbullohen çdo ditë në spital. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ky shërbim do të lehtësojë të tjerët deri në përfundimin e ndërtimit të spitalit rajonal të qytetit të Tiranës. Por nga ana tjetër, brenda këtij viti pritet të inaugurohet masterplani i QSUT-së, i cili sipas projektit, një kat të plotë ja ka vendosur në dispozicion shërbimit të urgjencave. “Urgjenca polivalente do të japë shërbim për të gjitha problemet emergjente të të sëmurëve, duke pasur specialistët përkatës”, tha Godo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›