Fushata për president, Nano takon deputetët e PDIU-së, Idrizin dhe Tahirin

Fatos Nano
Ish-kryeministri i vendit, Fatos Nano, ka vijuar takimet e fushatës së tij për tu zgjedhur Presidenti i Republikës. Takimi i radhës ka qenë me kryetarin e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe deputetin e saj, Dashamir Tahiri.
Pas takimit, Idrizi la të kuptohej se vota e tij është pro kandidaturës së Nanos. Ne si parti vlerësojmë faktin që Presidenti i Republikës të ketë një platformë e profil të qartë politik, në mënyrë që mos kemi një president anonim, u shpreh kreu i PDIU-së duke uruar që presidenti i ardhshëm të zgjidhet me konsensus.
Por nga ana tjetër, Idrizi, nuk mund të dalë jashtë konjukturave të mazhorancës qeverisëse. Zgjedhja do të kalojë në një proces negociatash brenda dhe jashtë mazhorancës, nënvizoi ai.
Ndërsa nga ana e tij, ish-lideri i PS-së, u shpreh se do të vazhdojë dialogun, që sipas tij nuk do të jetë vetëm për çështjen presidenciale por edhe për integrimin e vendit në BE.
Deri tani Nano është takuar me kreun e LSI-së, Ilir Meta, liderin e PS-së, Edi Rama ndërsa në ditët në vijim pritet të takohet me kreun e PD-së, Sali Berisha, kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe kryetarin e PR-së, Fatmir Mediu./F.S/