E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derri sulmon 7-vjeçarin në mes të qytetit të Laçit

LAÇ - Një nxënës i klasës së parë është sulmuar nga një derr në mes të qytetit të Laçit.

Armaldo Ndreca po kthehej për në shtëpi, kur ndërsa ecte në trotuar është sulmuar nga kafsha, e cila kishte me vete dhe të vegjlit e saj. Nga sulmi që i ka shkaktuar derri, fëmija 7-vjeçar është rrëzuar në trotuar, duke dëmtuar krahun, ndërsa derri e ka kafshuar në pjesë të ndryshme të trupit. I ati i fëmijës së plagosur, Nik Ndreca tha se ka qenë në punë kur e kanë njoftuar që i biri ishte shtruar në spital. Mjekët e spitalit të Laçit i kanë dhënë ndihmën e parë, ndërsa më pas e kanë këshilluar ta transportojë drejt Lezhës. "I kam kërkuar kryetarit të Bashkisë së Laçit, Luigj Isufi, që të paktën të marrë masa ose të urdhërojë heqjen e derrave në qytet, pasi ashtu siç u vu në rrezik jeta e fëmijës tim, mund ta pësojnë edhe fëmijët e tjerë të qytetit. Nëse nuk do kishin qenë kalimtarë të rastit që do të largonin derrin nga fëmija im, sot ai do të ishte i vdekur. Por dhe pse ka dy ditë që ka ndodhur kjo ngjarje e rëndë, nuk kam marrë asnjë përgjigje nga ana e kryetarit të bashkisë. Iu drejtova policisë, por më thanë se nuk kemi ligj për heqjen e derrave", pohon Ndreca. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur shumë pranë godinës së bashkisë, në mes të qytetit të Laçit dhe askush nuk mban përgjegjësi për fatin e të birit. Kalimtarët e rastit e kanë qëlluar kafshën me mjete të forta, duke e larguar. Pas mjekimeve, 7-vjeçari ka dalë nga spitali, ndërsa është ende i tronditur nga ngjarja. Pas asaj që ndodhi, pronari i kafshës nuk ka dalë në publik. Banorët e qytetit të Laçit prej kohësh ankohen nga prania e derrave në lagjet kryesore të tij, të cilët rriten nga individë apo komplekse të ndryshme pranë.                   r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›