Zogu: Kryesia e PD është e njëjtë me të PS
26/01/2005 Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, pretendenti për Fronin Mbretëror, Leka Zogu, ka hedhur poshtë, dje, deklaratat se forca politike, që ai kryeson, është e majtë. Zogu tha se LZHK është një lëvizje e djathtë, që shikon drejt së ardhmes. Gjatë një interviste televizive, Zogu është shprehur se është kryesia e PD-së, që nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e PS-së në koncepte, ndërsa ka pranuar se baza e PD-së është e djathtë. Në përputhje me këtë, kryetari i Grupit parlamentar të LZHK-së, Maksim Begeja, është shprehur dje se kjo forcë politika ka qenë, është dhe do të mbetet e djathtë. Madje, ai ka deklaruar se dhe në koalicionet e mundshme, paszgjedhore, do të jenë vetëm me forcat e djathta. Begeja ka pranuar se LZHK është një forcë gjithëpërfshirëse, por që në thelb ka implementimin e programit të saj, që është tërësisht i djathtë. Begeja ka bërë të ditur se LZHK ka nisur punën për përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare, ku do të konkurrohet në të 100 zonat elektorale.