E Diel, 1 Nëntor 2026

Irena kërkonte azil në Amerikë

26/01/2005  TIRANË –Gruaja 39-vjeçare, Irena Seli, e cila është zhdukur në datën 16 dhjetor 2004, ka aplikuar për azilante në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për gazetën “Metropol”, Drita Musho rrëfen përpjekjet e Irenës, gruas së zhdukur për të marrë azil në Amerikë. “Irena ka bërë kallëzim në Prokurori, ku thotë se e kërcënojnë në telefon. Një kopje të këtij kallëzimi e ka nisur në SHBA, bashkë me dokumente të tjera dhe kaseta filmike”, thotë Drita, e cila shton se disa herë i kishte kërkuar gruas së vëllait, të kujdesej dhe të vlerësonte më shumë familjen. Motra e Agim Mushos, sapo e ka mbyllur telefonin, pasi ka folur me vëllain në Gjermani. Ai i ka thënë se do të jetë në Shqipëri në datën 5 shkurt.

Në media, Agimi, vëllai juaj, ka thënë se do të ishte në Tiranë, ka ardhur?

Jo, Agimi nuk ka ardhur sot. Dhjetë minuta më parë bisedova në telefon dhe më tha se do të jetë në Shqipëri në datën 5 shkurt. Pak më parë bisedova me të dhe më tha se po merret me disa dokumente të vajzës, ky është edhe shkaku pse e ka shtyrë për pak ditë kthimin në Shqipëri.

Sipas vëllait të Irenës, Yllit, ju jeni personi i parë që keni shkuar në shtëpinë e tij dhe keni pyetur për Irenën, çfarë mund të na thoni, a mund të na rikujtoni diçka nga dita e zhdukjes së Irenës?

Agimi mbërriti atë ditë në shtëpi rreth orës 16.40. Ishte i lodhur dhe munda të kuptoj se nuk ishte mirë.

Si e kuptuat se Irena ishte larguar?

Pyeta Agimin, ku është Irena, i thashë. Më iku në port, më tha Agimi. Kemi bërë llafe në traget dhe më iku në port. Në makinën e Agimit, atë që përdorte gjithmonë, ishin edhe disa plaçka të Yllit, vëllait të Irenës. Shkova te shtëpia e tij për të pyetur për Irenën. Kur e pyeta nëse ishte në shtëpinë e tij, sepse ishte larguar në port nga Agimi, Ylli më tha mos e çaj kokën, Irena kështu bën. Morëm makinën e Agimit dhe shkuam te shtëpia e vjetër, të shikonim nëse ishte aty, por nuk ishte.

Çfarë ndodhi më pas?

Filluam të mendojmë se Irena mund të kishte ikur në Sarandë, ku kanë një shtëpi. Agimi mori në telefon personin që ia ka dhënë shtëpinë me qira dhe e pyeti. I vinte turp të pyeste për Irenën, por e gjeti mënyrën për ta pyetur.

Përse Agimi ka denoncuar zhdukjen e gruas së tij, katër ditë pas ngjarjes?

Agimi donte të denonconte që në fillim. Familja e Irenës i kërkuan të mos njoftonte policinë. Ai qëndroi katër ditë, por më pas filloi të dyshonte dhe i tha familjes se Irena ishte gruaja e tij dhe se do të denonconte në polici. Shkoi bashkë me Brunon dhe njoftoi policinë.

A mund të na shpjegoni diçka për numrin nga Amerika?

Sinjali i parë ka mbërritur në telefonin e Yllit, vëllait të Irenës. Më pas, zilet i kanë shkuar edhe Brunos. Ylli e mori në telefon Brunon dhe kërkoi të takoheshin pa praninë e Agimit. Bruno shkoi dhe ata të dy pinë një kafe. Në bisedë me nipin e tij, Ylli i tha Brunos se, Irena kishte marrë vendimin e saj dhe se kishte vendosur për të ardhmen e saj. Këto biseda i ka bërë Ylli edhe me mua në telefon.

Çfarë do të thoshte kjo?

Irena e kishte ëndërr Amerikën. Ajo po përpiqej të fitonte azilin atje. Agimi e kishte kundërshtuar disa herë, por pastaj ishin marrë vesh dhe kishin vendosur të shkonin në datën 5 shkurt në Amerikë të dy.

Mund të na sqaroni diçka për “azilin”?

Irena ka postuar nga Gjermania dokumentet me të cilat kërkonte azil në SHBA. Ajo ka bërë një kallëzim penal në Prokurori, ku thotë se e kërcënojnë në telefon, se jeta e saj është e cënuar dhe se nuk është e sigurtë. Një kopje të këtij kallëzimi e ka postuar nga Gjermania në Amerikë. Ajo kishte arritur të merrte edhe dokumente të tjera, sipas të cilave policia e kishte rrahur dhe e ndiqte, në mënyrë që të fitonte azilin atje. Ylli, vëllai i Irenës, disa herë ka filmuar policinë kur shembnin kompleksin “Bruno” dhe kasetat i ka dërguar Irena në Amerikë, për të vërtetuar se policia kishte ushtruar dhunë mbi të.

Në adresën e kujt i niste Irena dokumentet dhe pse i postonte nga Gjermania?

Dokumentet niseshin në adresën e djalit të xhaxhait të saj, i cili qëndron në Amerikë. Dokumentet i postonte nga Gjermania, se ishte më e sigurtë se do të mbërrinin në SHBA. Ajo kishte frikë se policia shqiptare do të pengonte postimin e tyre, nëse dokumentet niseshin nga Shqipëria.

Gjatë kontakteve tuaja me Agimin këto ditë, a keni kërkuar t'ju thotë ndonjë gjë?

Jo, nuk kam kërkuar, sepse Agimi e ka thënë se gruaja i është larguar në port. Jam siguruar se Agimi nuk ka ndryshuar asnjë makinë dhe se gjithë udhëtimin e ka kryer me makinën e tij.

Motra e vogël e Irenës, thotë se ka kërkuar në telefon Agimin dhe i ka dalë një italian, ditën e zhdukjes, çfarë mund të na thoni për këtë?

Agimi nuk na ka folur asnjëherë për ndonjë miqësi me italianë. Ai nuk kishte lidhje me persona të huaj italianë. Ai ka kryer disa herë udhëtim për në Gjermani, ndërsa në Itali nuk ka qëndruar asnjëherë më shumë se koha e rrugës drejt Gjermanisë.

Dëshmia e bashkëshortit të gruas së zhdukur do merret pas ardhjes së tij në Tiranë

Prokuroria: Do marrim në pyetje edhe Agimin

Trashgim Sokolaj

TIRANË -Prokuroria e Krimeve të Rënda do të marrë në pyetje gjatë këtyre ditëve, Agim Mushon, bashkëshortin e gruas së zhdukur, Irena Seli. Gjatë këtyre ditëve, hetuesit po zhvillojnë verifikime për të hartuar edhe skemën e pyetjeve, të cilat do t'i drejtohen Agim Mushos, i cili është personi i fundit, i cili ka parë gruan e zhdukur para se gjurmët e saj të humbisnin. Mënyra se si do të merren deklarimet e Agim Mushos, ende nuk është vendosur përfundimisht, ndërsa mundësia e parë është pas mbërritjes së Agim Mushos në Tiranë. Ndërsa, Prokuroria ka planifikuar që në mungesë të pranisë fizike të Agim Mushos, Prokuroria nuk e përjashton mundësinë e pyetjes së tij në distancë, sipas mënyrave hetimore që aplikohen ligjërisht.

Shtyrja

Disa ditë më parë, në një intervistë për gazetën, Agim Musho u shpreh se së shpejti do të vinte në Shqipëri dhe do të ishte i gatshëm të dëshmonte për hetuesit. Njëra prej ditëve kur Agimi tha se mund të kthehej në Tiranë, ishte edhe dita e djeshme. Sipas motrës së tij, Agim Musho e ka shtyrë dje udhëtimin drejt Shqipërisë, për shkak të disa dokumenteve, të cilat është duke i plotësuar për vajzën. Në një komunikim me familjen e tij, pronari i kompleksit “Bruno”, ka pohuar se në datën 5 janar do të jetë në Shqipëri.

Dëshmitë

Deri në ditën e djeshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka administruar disa dëshmi për zhdukjen e Irena Selit. Daja i 39-vjeçares së zhdukur, Shefqet Dervishi, ka qenë personi i parë që është marrë në pyetje nga hetuesit e Krimeve të Rënda. Një ditë më pas, të shtunën e javës së shkuar, është marrë në pyetje Ylli Seli, vëllai i gruas së zhdukur, 43 ditë më parë. Burime të hetimit thonë se janë marrë edhe disa dëshmi në portin e Durrësit, nga efektivat e policisë që kanë qenë në shërbim ditën e ngjarjes, ndërsa është pyetur edhe një pjesë e personelit të tragetit “Venezia”, me të cilin në datat 15-16 dhjetor kanë udhëtuar nga porti i Triestes për në Durrës, Agim Musho dhe Irena Seli. Kjo është tabloja e dëshmive të marra deri dje nga hetuesit e dosjes enigmatike, e cila pret dëshminë okulare të Agim Mushos.

Agjencia e udhëtimit:

Irena ka hipur në traget

Agjencia e udhëtimit të Agim Mushos e Irena Selit dhe policia italiane, i kanë komunikuar Prokurorisë shqiptare se 39-vjeçarja e zhdukur ka hipur në tragetin “Venezia”, që nisej nga porti i Triestes, në datën 15 dhjetor. Sipas agjencisë së udhëtimit, pagesa dhe të gjitha formalitetet e tjera proceduriale janë kryer sipas rregullave të udhëtimit ndërkombëtar, edhe për emrin e Irena Selit. Një zyrtar i hetimeve i tha gazetës “Metropol” se, ky komunikim është realizuar nga grupi hetimor në mënyrë gojore, nëpërmjet homologëve italianë.

Verifikimet në traget

Të dielën që shkoi, hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë sekuestruar dokumentacionin e udhëtimit të datave 15-16 dhjetor me tragetin “Venezia”, nga qyteti italian i Triestes në Durrës. Hapësirat e tragetit, ku kanë qëndruar udhëtarët, janë fotografuar dhe Prokuroria ka filluar veprimet për përcaktimin e vendit të secilit pasagjer në traget, me qëllim identifikimin e atyre udhëtarëve që mund të kenë parë Irena Selin dhe bashkëshortin e saj, Agim Musho, i cili është pronar i kompleksit “Bruno” në Tiranë. Hetuesit janë në kërkim të udhëtarëve që kanë qenë në afërsi të kabinës, ku kanë qëndruar 39-vjeçarja e zhdukur dhe i shoqi i saj. Menjëherë pas identifikimit të këtyre personave, që mund të kenë parë diçka gjatë udhëtimit, i cili ka zgjatur 9 orë, hetuesit kanë hartuar listën e dëshmitarëve të mundshëm.

Mbërritja misterioze

Nëse gjithçka është vërtetuar për një pjesë të mirë të udhëtimit të asaj dite, mbërritja në Durrës ende mbetet mister. Dokumentacioni në Durrës është i pasaktë dhe listat shqiptare mbeten të pabesueshme, për shkak të numrit të madh të udhëtarëve të asaj dite. Zyrtarët e hetimeve thonë se nuk ka asnjë konfirmim se Irena Seli ka mbërritur fizikisht në Durrës, ashtu sikurse me bindje, hetuesit thonë se nuk kanë asnjë provë për të besuar të kundërtën. Për hetuesit, një gjysmë konfirmimi për vulosjen e pasaportës së saj, nuk do të thotë se ajo ka mbërritur fizikisht në Durrës. Sepse, sipas grupit hetimor, ka vend për dyshime, sipas të cilave pasaporta e Irena Selit është firmosur pa qenë e pranishme ajo, gruaja e zhdukur pa gjurmë.

15 dhjetor 2004

Irena Seli dhe burri i saj, Agim Musho, pronar i kompleksit “Bruno”, nisen në një udhëtim nga Gjermania për në Shqipëri. Ata udhëtojnë me makinën e tyre deri në Itali, ndërsa marrin tragetin nga porti i Triestes për në Durrës.

16 dhjetor 2004

Personeli i Portit të Durrësit vulos pasaportat e dy bashkëshortëve, të cilat mbërrijnë në Durrës. Agim Musho, thotë se gruaja është larguar në këtë moment, pasi e kishte lënë te makina. Familja e Irenës, thotë se ajo nuk ka mbërritur në Durrës.

20 dhjetor 2004

Pas publikimit të ngjarjes, Agim Musho paraqitet në Komisariatin e policisë numër 2 të Tiranës dhe denoncon zhdukjen e gruas, katër ditë pas ngjarjes. Policia fillon veprimet e para të hetimit, pyetet paraprakisht Agim Musho për rrethanat e ngjarjes.

23 dhjetor 2004

Pasi mësojnë se bashkëshorti i Irenës ishte larguar në Gjermani, familja e të zhdukurës shkon në Durrës dhe bën kallëzim penal për ngjarjen. Hetuesit e policisë marrin deklarimet e personave të afërt. Ata thonë se Irena kishte hipur në tragetin që është nisur nga Trieste, pasi kishte folur me motrën e saj në Gjermani.

12 janar 2004

Pas disa hetimeve paraprake, policia e Komisariatit numër 2 në kryeqytet, ia kalon dosjen Prokurorisë së Tiranës. Fillojnë hetimet për rrëmbim personi.

16 janar 2004

Agim Musho nga Gjermania, thotë se zhdukja e Irena Selit ka qenë një ngjarje dhe një inskenim i planifikuar prej saj. Musho e akuzon ish-gruan e tij për lidhje intime me një punonjës të policisë.

18 janar 2004

Merren në pyetje në Prokurorinë e Tiranës, vëllai dhe daja i Irenës. Ata shprehin dyshimet e para për vrasje ndaj Agim Mushos, ndërsa thonë se ai është larguar në Gjermani, pa mësuar asgjë për të shoqen.

19 janar 2004

Dosja penale për zhdukjen e Irena Selit, i kalon për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Hetuesit e këtij institucioni thonë se dosja ka vetëm tri prova dhe se verifikimet e ngjarjes janë neglizhuar.

21 janar 2004

Hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kthehen nga qyteti i Durrësit, pa arritur të marrin një konfirmim, nëse Irena ka mbërritur aty apo jo. Vërtetohet fakti se, pasaportat e udhëtarëve janë vulosur në traget.

22 janar 2004

Njëri prej udhëtarëve të ardhur nga Italia në datën 16 dhjetor, emri i të cilit ndodhet në të njëjtën listë me Agim Mushon dhe Irena Selin, thotë se nuk ka udhëtuar në një traget me gruan e zhdukur dhe burrin e saj. Jam nisur nga Bari dhe kam mbërritur në Durrës në orën 13.00. Agim Musho dhe Irena Seli janë nisur nga Trieste dhe kanë mbërritur në Durrës në orën 14.00 të datës 16 dhjetor.

23 janar 2004

Sekuestrohet në Durrës dokumentacioni i udhëtimit të pasagjerëve me tragetin “Venezia” të linjës Trieste-Durrës. Fotografohen ambientet e tragetit, me qëllim përcaktimin e saktë të pozicionit të udhëtarëve që kanë qenë në afërsi të kabinës dhe vendqëndrimit në traget, të Agim Mushos dhe Irena Selit.

24 janar 2004

Grupi hetimor në Durrës deklaron se policia italiane e Triestes dhe kompania e udhëtimit, konfirmojnë se Irena Seli ka hipur në traget dhe se emri i saj gjendet konform të gjitha përshkrimeve dhe procedurave të udhëtimeve ndërkombëtare, në listat e pasagjerëve.

25 janar 2004

Motra e Agim Mushos, Drita, pohon për gazetën “Metropol” se, Irena Seli kishte filluar të kërkonte azil në Amerikë. Në funksion të këtij qëllimi, Irena kishte bërë një kallëzim në Prokurori për kërcënim, por kishte marrë edhe dokumente që “vërtetonin” keqtrajtimet dhe ndjekjen e saj nga policia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›