E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: LZHK është forcë politike e majtë

26/01/2005  Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka bërë thirrje dje për bashkimin e opozitës në një koalicion të vetëm zgjedhor. Sipas tij, është e nevojshme gjetja e një gjuhe të përbashkët, për të mos krijuar probleme mes vetë forcave të djathta si në votat e mazhoritarit ashtu dhe në votat e proporcionalit. Në këtë mënyrë, ai ka ftuar reformatorët e drejtuar nga Genc Pollo, që të mos i mbyllin rrugën e bisedimeve apo të bashkëpunimit me Partinë Demokratike dhe me forcat e tjera politike, por të japin kontributin e duhur për të kaluar në një opozitë sa më unike. Kreu i republikanëve ka bërë thirrje për bashkimin e të gjitha forcave politike të djathta dhe jo vetëm të reformatorëve. Por, në këtë qëndrim, ai ka përjashtuar deputetët e Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, që, sipas tij, kanë inspirime të majta. Mediu ka theksuar se deputetët e LZHK-së nuk kanë mbajtur qëndrime të qarta për politikën e tyre, duke bërë të ditur se pas zgjedhjeve do të bashkëpunojë me çdo forcë politike. Në këtë kontekst, partitë e djathta e kanë vlerësuar LZHK-në si një forcë politike që kërkon bashkëpunimin dhe me socialistët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›