E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dervishaj dhe Shalësi përplasen për parkingjet

Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Bashkia e Tiranës vijuan edhe dje përplasjet për parkingjet nëntokësore. Mbledhja e acaruar e Këshillit Bashkiak e një dite më parë, u shoqërua me replika mediatike mes Sokol Dervishajt dhe Eduard Shalësit. Drejtuesi i këshillit, përfaqësues i LSI-së, tha se në asnjë rast nuk ka qenë kundër zhvillimit të qytetit, zhvillimit dhe investimit në infrastrukturë dhe për më tepër edhe në sistemin e parkingjeve në kryeqytet. "Kemi të bëjmë me një situatë fare të paprecedentë, një situatë në mungesë të plotë të transparencës, të mirëkuptimit e të diskutimit dhe të zbatimit të detyrimeve ligjore që kanë institucionet e qeverisjes vendore, përkatësisht Këshilli Vendor, Këshilli Bashkiak i Tiranës", u shpreh Dervishaj. Sipas tij, ligji e përcakton fare qartë, se në rastet kur ka tjetërsim prone, apo dhënien në përdorim të pronave të të tretëve, Këshilli Vendor është i detyruar të zhvillojë seanca komunikimi dhe këshillimi me komunitetin, për të marrë mirëkuptimin apo opinionin e qytetarëve të qytetit, grupeve të interesit apo palëve të tjera të interesuara në këtë rast. "Praktikisht një gjë e tillë nuk është bërë asnjëherë, edhe në vendimet e mëparshme, procedurat e mëparshme që kanë zhvilluar këshillat paraardhës, qoftë në vitin 2005, qoftë në vitin 2006, kur janë marrë vendime", u shpreh Dervishaj. Sakaq, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalësi, reagoi dje ndaj këtyre deklaratave të kreut të Këshillit Bashkiak. Sipas tij, këto deklarime janë të papërshtatshme në një moment kur qytetarët festojnë Fiter Bajramin. Shalësi deklaroi se gjithçka në lidhje me këtë projekt po ndjek etapat e këshillimit me komunitetin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›