E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe komandot në Afganistan dhe Irak janë pa sigurim jete

Pas publikimit në gazetën "Shqip" të faktit skandaloz se efektivave të Repartit superspecial të policisë RENEA, por edhe atyre zjarrfikësve, nuk iu paguhet siguracioni për jetën, edhe pse atë e vënë në rrezik pas çdo operacioni që kryejnë, ka reaguar edhe Ministria e Brendshme. Nga ky dikaster mësohet se problemi është real dhe se aktualisht ka nisur përgatitja e një projektligji për sigurimin e jetës së efektivave, të cilët kanë rrezikshmëri të lartë në shërbimin e tyre. Kjo është konfirmuar për gazetën edhe nga zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, i cili deklaroi se ky është një shqetësim i vënë re prej kohësh nga ana e institucionit që përfaqëson. Prej shumë vitesh, madje që nga themelimi, reparti special RENEA funksionon si një ndër repartet që kryen operacione me rrezikshmërinë më të lartë në polici, por nuk ka siguri jete. I njëjti problem qëndron edhe me sektorë të tjerë specialë. Krahasuar me vendet e tjera të botës, ku edhe punonjësit e thjeshtë të policisë janë të siguruar për fatkeqësi që mund t‘u ndodhin gjatë kryerjes së detyrës, duket se në vendin tonë ky ligj është emergjent. Në një prononcim për "Shqip", Strazimiri është shprehur se prej kohësh, Ministria e Brendshme është vënë në dijeni për faktin se mungon sigurimi i jetës për efektivët specialë. "Kjo është një mungesë ligjore e rëndë për specialët, por reparti RENEA nuk është i vetmi që nuk e ka. Duhet të theksojmë se e njëjta gjë ndodh edhe me Ministrinë e Mbrojtjes. Ne kemi kontingjent ushtarak, që i dërgojmë si paqeruajtës në vende në luftë, siç është Iraku apo Afganistani dhe ushtarët nuk janë të siguruar për jetën. Atje rrezikshmëria është më e lartë sesa për efektivët specialë të policisë dhe një procedurë e tillë nuk është bërë", shpjegon Strazimiri. Më tej, zëvendësministri i Brendshëm thotë se, deri tanimë ky ka qenë një problem shqetësues, pasi sa herë kishin ngjarje të rënda për efektivët specialë, ndodheshin para situatash të vështira. "Por, në këto raste, situata të tilla janë zgjidhur me vendime të veçanta qeverie. Në këto kushte, ne kemi menduar që mos të kryhet më kjo lloj procedure. Duke bashkëpunuar edhe me Ministrinë e Mbrojtjes, apo edhe struktura të tjera, kemi menduar të nxjerrim një ligj, që të përcaktojë detyra përkatëse për shtetin shqiptar që të kujdeset për të gjithë këtë kategori. Këtu nuk duhet të lëmë mënjanë, që nga forcat speciale të ushtrisë, forcat ushtarake, zjarrfikësit, apo edhe struktura të tjera, që rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë në shërbim të komunitetit dhe shtetit shqiptar", tha Strazimiri. Sipas tij, e njëjta procedurë do të ndiqet edhe për forca të tjera, siç është njësia antieksploziv. Ai deklaroi se tashmë ka nisur puna për përgatitjen e këtij ligji, që më vonë pritet të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave e me radhë në Kuvendin e Shqipërisë, duke i dhënë fund njëherë e mirë çështjes së kujdesit për familjet e këtyre personave, që rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre, teksa kryejnë detyra shtetërore. I kontaktuar nga gazeta, komandanti i repartit RENEA, Luigj Vathi, përshëndeti lajmin e daljes së shpejti të një ligji për sigurinë e jetës së forcave speciale. Sipas tij, kjo do të bëjë që motivimi dhe efikasiteti në detyrë i efektivave që drejton të ritet ndjeshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›