Zgjedhjet në PD, në prill
Partia Demokratike ka ndezur motorët e fushatës së zgjedhjeve brenda strukturave të partisë. Ndonëse fushata ka filluar që prej muajit shtator dhe një pjesë e kandidaturave tashmë janë bërë publike, drejtuesit e lartë të PD-së kanë vendosur që ndryshimet në strukturat e selisë blu të bëhen vetëm tre muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. Ndonëse në 11 qarqet e vendit ka filluar puna për zgjedhjen e kreut të degës së PD-së, në Tiranë zgjedhjet dhe debati i vërtetë do të nisë në muajin prill. Besnik Mustafaj, i cili është vetëshpallur sipas statutit të Partisë Demokratike si kandidat për kreun e PD-së, Tiranë, do të ketë në garë drejtorin aktual të KESH-it, Gjergji Bojaxhiun. Kjo lëvizje surprizë është ideuar nga drejtuesit e lartë të PD-së, me motivin se Bojaxhi do të jetë njëkohësisht edhe kandidati i ardhshëm i PD-së për Bashkinë e Tiranës. Nevoja për të forcuar imazhin e tij në kryeqytet pritet t‘i garantojë këtij të fundit edhe mbështetjen e Kryeministrit Berisha. Aktualisht, kreu i qeverisë ka anashkaluar kandidimin e ish-ministrit të tij, Besnik Mustafaj, në pozicionin që vazhdon të mbahet nga Sokol Olldashi, duke sjellë një përçarje dhe konfuzion në kampin blu.