Ligji për spiunët, kundër prokurorëve
Mazhoranca kërkon që me "gurin" e spiunëve të "vrasë dy zogj", ku ndër më të preferuarit duken se janë gjykatësit dhe prokurorët. Lufta frontale që ka nisur qeveria dhe grupi parlamentar i PD-së për ta transferuar "të keqen e korrupsionit" drejt drejtësisë, do të prekë edhe të famshmin ligj mbi spiunët, thënë ndryshe ligjin për pastërtinë e figurave të larta të shtetit. Debati për këtë ligj të diskutueshëm pritet të nisë që në fillim të javës që vjen. Polemikat për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, që sot mbajnë poste të larta zyrtare, ka disa muaj që është hapur, por javët e fundit ishte lënë gjithçka në heshtje, pasi pritej që relatorët përkatës, një nga PS-ja dhe një nga PD-ja, të hartonin një draft të përbashkët për t‘ia paraqitur për miratim Kuvendit. Por, ashtu siç pritej, mazhoranca dhe opozita nuk kanë mundur ta gjejnë dot gjuhën e bashkëpunimit, duke e lënë gjithçka në vendnumëro. Pika për të cilët debatojnë më shumë dhe nuk lëshojnë pe asnjëra palë, është ndërprerja e mandatit për funksionarët e lartë të shtetit, të zgjedhur nga populli, nëse ata rezultojnë se kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. PS-ja kërkon që të bëhen publike emrat e të gjithë zyrtarëve të lartë, por gjithçka të mbesë në këtë kuadër, pasi klasa e sotme politike nuk ka të drejtë t‘i ndërpresë mandatin një deputeti, apo një kryetari komune e bashkie, i cili është zgjedhur nga populli. Ndërsa PD-ja kërkon që personat të cilët rezultojnë se kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, t‘u ndërpritet menjëherë mandati i tyre. Sipas përfaqësuesve të opozitës, mazhoranca nuk po e bën këtë ligj për të penalizuar deputetë apo kryetarë komunash dhe bashkish, pasi tashmë emrat e atyre që kanë bashkëpunuar me ish-shërbimin sekret të regjimit komunist, janë publikuar në media, qoftë direkt apo indirekt dhe kjo u pret rrugën e rikandidimit shumë deputetëve, të cilët aktualisht gëzojnë imunitet në Kuvend. Por, për opozitën kjo betejë bëhet për të ushtruar presion mbi sistemin gjyqësor dhe prokurorët, për t‘i pasur ata nën kontroll e t‘u tunden dosjet, duke u thënë se kanë qenë ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit. Deri diku këtë e ka pranuar publikisht edhe vetë relatori i PD-së për këtë projektligj, Aldo Bumçi, i cili është shprehur se verifikimi i dosjeve nuk do të bëhet për të gjithë qytetarët shqiptarë, por vetëm për zyrtarët e lartë që përfshijnë të zgjedhurit: deputetët, kryetarët e bashkive dhe komunave, gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarët e tjerë të lartë që emërohen nga Parlamenti dhe dekretohen nga Presidenti. Duke vënë theksin te konsensusi që kërkohet për miratimin e këtij ligji, Bumçi ka theksuar se "ne si mazhorancë nuk atribuojmë ligje, por dëshirojmë ta bëjmë bashkë me opozitën. Kemi disa herë që e shtyjmë, megjithëse është në kalendar, e bëjmë për të marrë miratimin e tyre, por edhe kjo do të ketë një limit". Se si do t‘i vejë filli këtij projektligji kaq të debatuar, kjo mbetet për t‘u parë javën e ardhshme, kur të rinisë diskutimi në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në Parlament.
Precedenti
Mazhoranca verifikoi figurat pa pasur ligj
Megjithëse në legjislacionin shqiptar ende nuk ka një ligj, i cili përcakton kriteret për pastërtinë e figurave, duke saktësuar kushtet që duhet të plotësojë një person për të garuar për një post të lartë, mazhoranca tashmë ka nisur ta vërë në zbatim një praktikë të tillë. Për individin, që bëhet pjesë e një gare për një nga postet më të larta shtetërore, e cili zgjidhet nga Kuvendi dhe dekretohet nga Presidenti, apo e anasjelltas, menjëherë në media, apo edhe në shkresat zyrtare, nis verifikimi i figurës së tij. Verifikim ky që deri më tani bëhet në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, pasi nuk ka një ligj që e lejon hetimin e këtyre figurave. Ky rast flagrant është vënë në zbatim pak muaj më parë për pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët u zgjodhën nga Presidenti dhe u rrëzuan nga Parlamenti. Kristaq Traja, një nga emrat e emëruar, u bë në disa media objekt i shqyrtimit të biografisë së tij profesionale, ndërkohë që kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. Verifikimi i figurës së tij u bë pa pasur një ligj konkret nga mazhoranca, e cila e publikoi këtë në mediat pranë saj dhe më pas me forcën e kartonit e rrëzoi emrin e tij në Kuvend. Bashkë me të u rrëzuan edhe emrat e tjerë, duke u argumentuar me faktin se Kuvendi kishte verifikuar figurën. Po me ç‘ligj?