E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishfaqen maskat në kufirin me Greqinë

Grabitësit e frikshëm me maska dhe armë janë rishfaqur pas shumë vitesh në vijën e gjelbër të kufirit shtetëror mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke grabitur nën kërcënimin e armëve çdo send me vlerë që gjejnë në xhepat dhe trastat e dhjetëra emigrantëve klandestinë, që nga ushqimet deri te paratë, varëset dhe celularët. Në bazë të informacioneve dhe denoncimeve të bëra në polici, persona të maskuar dhe të armatosur në mënyrë sistematike grabisnin emigrantët klandestinë në hapësira ekstreme dhe territorin e ndërmjetëm mes dy shteteve, me qëllim që të shmangnin arrestimin nga patrullat shqiptare dhe greke.

Në rrethanat kur banda e grabitësve shfrytëzonte territorin grek, të dyja policitë kanë organizuar të hënën një operacion të përbashkët. Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe me Policinë e Janinës, nisën në fillim të kësaj jave krehjen e territorit nga të dyja anët e kufirit. Në përfundim të këtij operacioni është bërë e mundur kapja në flagrancë nga policia shqiptare e njërit prej grabitësve dhe identifikimi i një pjesëtari tjetër të kësaj bande, që sipas të dhënave të policisë është dënuar më parë nga gjykata me 17 vjet burg për grabitje me armë.

Operacioni

Në bazë të deklarimeve të një numri të madh emigrantësh të deportuar në Kakavijë nga pala greke, është mësuar se gjatë fundjavës së shkuar, dy persona të maskuar dhe me armë kanë kryer një varg grabitjesh të grupeve të klandestinëve në kufi. Menjëherë pas këtyre informacioneve, një grup special i policisë së krimeve të rënda, patrullat e policisë kufitare shqiptare dhe grupe të policisë greke të kufirit, për më shumë se 18 orë janë vënë në ndjekje të grabitësve, duke koordinuar veprimet dhe informacionet. Pas shumë kërkimeve, grupet janë vënë në gjurmët e njërit prej grabitësve dhe mëngjesin e djeshëm, rreth orës 04.00, kanë mundur të arrestojnë në flagrancë shtetasin Alban Meçe, 23 vjeç, lindur dhe banues në Memaliaj të rrethit Tepelenë.

Kërkimet

Në bazë të deklarimeve të të arrestuarit, gjatë hetimeve paraprake ai ka pranuar se në bashkëpunim me bashkëfshatarin e tij, shtetasin Arsen Hasani, 27 vjeç, kanë dalë për të grabitur emigrantët në vijën e gjelbër të kufirit me Greqinë, në kodrat mbi fshatin Shën Nikollë (Dritë) të Dropullit të Sipërm.

Ndonëse sipas deklarimeve të tij dhe kallëzimeve të të dëmtuarve, në përbërje të grupit të grabitësve ishin vetëm këta dy persona, policia dyshon për një grup më të madh dhe krahas operacioneve të përbashkëta me palën greke për kapjen e grabitësit të dytë, bëhen hetime dhe kërkime edhe për persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë grup. Fakti që grabitësi i dytë, që ende nuk është kapur nga policia, ka qenë i dënuar më parë me 17 vjet burg për "vjedhje me armë", ka bërë që kapja e tij të vlerësohet nga policia e të dyja palëve, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqet si person i shpallur në kërkim qysh në qershor të vitit 2006. Arsen Hasani mendohet se është larguar në drejtim të tokës greke dhe është i armatosur me një pistoletë.

Akuzat

Grabitja 1

Më datën 28 shtator 2008, rreth orës 22.00, në vendin e quajtur Përroi i Katundës, mbi fshatin Shën Nikollë (Dritë), banda ka vjedhur me armë 4 shtetas nga rrethi i Tepelenës, duke u marrë ushqimet dhe cigaret

Grabitja 2

Më datën 29 shtator 2008, rreth orës 13.00, në afërsi të vijës së kufirit me Greqinë, kanë vjedhur 4 shtetas të tjerë po nga rrethi i Tepelenës, duke u grabitur atyre 440 euro dhe dy aparate celulari

Grabitja 3

Më datën 29 shtator 2008, rreth orës 09.30, në vendin e quajtur Përroi i Katundës, ata kanë vjedhur 3 shtetas nga rrethi i Beratit, të cilëve u kanë marrë 240 euro, një varëse floriri dhe tri aparate celulari

Grabitja 4

Më datën 29.09.2008, rreth orës 11.00, dy të akuzuarit kanë vjedhur tre shtetas nga rrethi i Mallakastrës, të cilëve u kanë grabitur me forcë 290 euro, 4800 lekë të reja, një unazë dhe një varëse floriri



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›