E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, fillojnë hetimet për policët e dypunësuar

Lëvizja e drejtuesve të policisë së qarkut dhe ndërrimi i shefave të Komisariateve Lushnjë e Mallakastër ka bërë që të dalë në shesh edhe dypunësimi i disa punonjësve të policisë. Konfirmohet se krerët e policisë së qarkut, pas studimit të dosjeve të çdo punonjësi policie, kanë vërejtur se shumë prej tyre punojnë edhe në sektorin privat. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, që njoftojnë se kanë ardhur sinjalet e para për disa punonjës policie që punojnë si roja private në lokale lojërash fati, apo si truproja, apo roje objektesh të disa biznesmenëve të njohur. Burimet e informacionit nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier pohojnë, për "Shqip", faktin se, pas disa njoftimeve të mbërritura në formën e letrave anonime, kanë nisur verifikimet dhe pas konstatimit të disa rasteve ka nisur hetimi nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Këta policë të dypunësuar kanë rregulluar punën në formë të atillë që në kohën që janë pushim punojnë roje nate. Është verifikuar se këta policë të dypunësuar punojnë gjatë orëve të natës në disa lokale lojërash fati në qytetin e Fierit dhe të Lushnjës. Ndërkohë mësohet zyrtarisht nga Shërbimi Kontrollit të Brendshëm se pas hetimeve paraprake janë bërë propozime për marrje masash administrative dhe pushim nga puna për katër punonjës të policisë, të cilët janë gjetur në dyert e lokaleve të lojërave të fatit, duke kryer rolin e rojës, të veshur me uniformat e Policisë së Shtetit dhe duke mbajtur në brez armët e shërbimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›