Ithtari i Op-Artit mbetet në Tiranë
Një vepër origjinale e artistit postmodern, Victor Vasarely, i dhurohet Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, duke shtuar fondin e veprave të huaja. Koleksionisti i famshëm i veprave të piktorit Tibei Csepei, që është dhe mbrojtësi ligjor i pasurisë së Vasarely, ka qenë i pranishëm në Tiranë, duke na njohur me artistin unik të iluzionit optik
Ithtari i Op-Artit mbetet në Tiranë
Një vepër e artistit unik të Op-Artit, Victor Vasarely, i dhurohet Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Për artet pamore duhet thënë se kjo është një ngjarje duke pasuruar fondin e veprave origjinale, në koleksionin e veprave të huaja.
Vepra e quajtur “Vega 2”, me përmasa 61x 61 cm, në një ceremoni të organizuar dje, në ambasadën hungareze, iu dorëzua GKA-së.
Suzana Varvarica (Kuka), shefe e studimeve dhe kërkimeve artistike, bëri të ditur gjatë kësaj ceremonie se "në ambientet e GKA-së, gjatë muajit nëntor 2008 do të shfaqet një film me metrazh të shkurtër të dhuruar nga Csepei, mbi të cilin paraqitet jeta e artistit unik”. “Vega 2” ishte pjesë e 126 pikturave të koleksionit “Csepei” që u paraqitën disa ditë më parë në Muzeun Historik Kombëtar.
I ndodhur në Tiranë, bosi i koleksioni të pikturave të Vasarely, Tibor Csepei, ka treguar tërheqjen e tij pas këtij artisti postmodern, e konkretisht të Op-Artit, që e bëri të njohur dhe unik në mbarë botën. Csepei ka treguar se Vasarley nuk ishte aq i njohur gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe vlerat e pikturave të tij ishte e vogël.
Në një intervistë Csepei tha se "Vasarely kishte një zakon që disa piktura të ekspozuara ua dhuronte artistëve të ndryshëm. Unë arrita për disa vite t'i blija të gjitha këto piktura, që kanë qenë rreth 60 të tilla. Tani çmimi i tyre është rritur shumë dhe nuk arrita t’i blija dot”.
Vasarely, i njohur si "babai i iluzioneve optike" dhe artisti që solli një revolucion në artin grafik u prezantua në Tiranë nga një bashkëpunim i Institutit Kulturor Hungarez “Sofia”, Aleancës Franceze, nën kujdesin e veçantë të ambasadores së Francës në Tiranë, Maryse Daviet dhe ambasadorit të Hungarisë në Tiranë, z. Sandor Molnari.
Në këtë ekspozitë u paraqitën disa nga veprat artistike të grafistit me famë, punimet e të cilit janë të njohura në të gjithë botën, përmes ekspozitave të tij në muze dhe galeri në zë. Victor Vasarely ka realizuar portrete, peizazhe dhe kompozime, ndërkohë që gjithmonë eksperimentonte në figura ekspresioniste, kubike, simbole të surrealizmit element që përvijuan tek ai një stil unik. Ai gjatë jetës së tij u dallua për stilin e tij abstrakt dhe përdorimin e figurave gjeometrike, si dhe skulpturave shumëngjyrëshe duke u përcaktuar si një nga ikonat artistike të Hungarisë dhe Francës ku ai jetoi.
Një nga punimet e tij më të famshme është ai i Zebrës (1937), krijim që u quajt edhe si vepra e parë Op-Art (iluzion optik). Në muzeun e pallatit Gordes si dhe atë të Zichy në Budapest janë ekspozuar rreth 1000 vepra arti të këtij autori. Ndërsa Aix-en-Provence ndodhet fondacioni “Vasarely”, strukturë e ndërtuar nga vetë piktori.
Punime të ndryshme të këtij artisti janë prezantuar në qendrën “Pompidou”, duke u bërë pjesë e koleksioneve më të mëdha të artit modern në Evropë. Victor Vasarely vdiq në moshën 90-vjeçare në 1997 në Paris, duke lënë pas artin e tij që vazhdon të ketë dashamirës në të gjithë planetin. Tibor Csepei është koleksionisti më i madh i veprave të Vasarely-t dhe i vetmi në të gjithë botën, me rreth 800 punime. Ai ka arritur të realizojë rreth 1400 ekspozita me veprat e këtij koleksioni. Csepei është gjithashtu një pedagog i muzikës në Budapest dhe autori i shumë librave jo vetëm të vendeve evropiane, por dhe të kulturës arabe. Punimet e Vasarely që u ekspozuan në Tiranë u përzgjodhën nga “Koleksioni Csepei” dhe patën mbështetjen e mbrojtësit ligjor të veprave të artistit z. Csepei Tibor, i cili ka shoqëruar artistin në të gjallë të vet, në shumë veprimtari të tij, si dhe po vazhdon ta promovojë artin e artistit Vasarely në shumë vende të botës.
Piktura e Monetit shitet për 80 milionë dollarë. Një pikturë e impresionistit francez, Klod Monet, është shitur për një shifër rekord 80 milionë dollarë. Ankandi i organizua nga kompania “Kristi” në Londër. Klod Monet e realizoi këtë vepër në vitin 1919. Ajo është pjesë e serisë së zambakëve të ujit të piktorit impresionist. Piktura ishte ekspozuar në publik vetëm një herë që prej 80 vjetësh. Shumën 80 milionë dollarë, afro dy herë më shumë se kuota në hapje të ankandit, e pagoi një blerës anonim.