E Diel, 1 Nëntor 2026

Dervishi: KSHC i paaftë, në shërbim të Qeverisë

Deputeti i PS, Besnik Dervishi hodhi akuza në adresë të Komisionit të Shërbimit Civil, duke deklaruar paaftësinë e tij. Dervishi morri shkas nga raporti i paraqitur në Kuvend, i cili sipas tij nuk është produkt i vendimmarrjes së Komisionit, por vetëm i kryetares. Ai tha se kjo tregon mosfunksionimin e që komprometon rëndë veprimtarinë e tij si mbikëqyrës e garant për shqyrtim e vendimmarrje të drejtë e të ligjshme ndaj ankesave të nëpunësve civilë. Mungesa e transparencës dhe ngritjes së një sistemi emërimi e promovimi mbi bazën e meritave, janë simptomat më përfaqësuese të sëmundjes që ka mbërthyer sot administratën publike e që ka fshirë të gjithë investimin e viteve të tëra në burime njerëzore e financiare edhe të partnerëve tanë strategjik. Ky shqetësim është shprehur qartë edhe në dokumentin e status Raportit të hartuar nga Komisioni Europian, u shpreh deputeti i PS, Dervishi. Ai vijoi se rasti i kaluar i raportimit në komisionin kuvendor të Ligjeve nga KSHC, konfirmon edhe një herë gjendjen kritike në të cilën ndodhet sot shërbimi civil. Deputeti socialist, Dervishi tha se gjendja në të cilën ndodhet ky komision është diçka e njohur. Sipas tij, Komisioni i  Shërbimi Civil gjatë viteve të qeverisjes së PD, ka degjeneruar në dëm të krijimit të një administrate publike në shërbim të shtetit e qytetarëve. Ai shtoi se në këtë këndvështrim edhe KSHC nuk ka mundur të sigurojë rolin e garantit dhe mbikëqyrësit të zbatimit të Ligjit të Shërbimit Civil. Dervishi theksoi se Statusi i nëpunësit Civil obligon KSHC të raportojë përpara Kuvendit për punën e kryer, në rastin konkret për vitin 2008. Sipas Dervishit, mungesa e funksionimit të këtij mekanizmi për administratën publike, ka rritur deri në alarm shqetësimin e anashkalimit të procedurave të përcaktuara në ligj të meritës e të karrierës në shërbim civil, kryerjen e emërimeve të motivuara mbi baza të anësive politike, apo në shkëmbim të shërbimeve të modelit mbërtheckë, që i shkon për shtat kësaj qeverie. Sipas tij, panoramës shqetësuese i shtohet dhe veprimi i kryer rishtazi nga qeveria për shtesën në administratën qendrore, të mbi 1600 punonjësve, të cilët më e pakta do të keqpërdoren politikisht si amortizator social, por më probabël është keqpërdorimi si mekanizëm në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në favor të Partisë Demokratike. Kjo situatë në KSHC ka kohë që është e njohur, por qeverisë i leverdis një institucion i dobët e që nuk funksionon. Mosfunksionimi në këtë rast ka partner qeverinë, tha Dervishi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›