Dervishi: “Kompania e Mihal Delijorgjit, debitore në dogana”
Kompania “Përparimi sh.a.”, në pronësi të Mihal Delijorgjit, një prej të paditurve si përgjegjës pas tragjedisë së Gërdecit, ka bërë deklarime jo të sakta të importit të hekurit. Kompania në pronësi të Delijorgjit rezulton të ketë detyrime doganore dhe gjoba të pashlyera. Këtë fakt e ka bërë publik drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi. Kreu i Doganave ka deklaruar se kompania e Delijorgjit ka bërë deklarime jo të sakta të importit të hekurit dhe për këtë arsye është gjobitur. Këto deklarata, kreu i doganave, Dervishi i bëri gjatë analizës 9-mujore të punës së institucionit që ai drejton. Sipas tij, për periudhën janar-gusht administrata doganore ka futur në buxhetin e shtetit një shumë prej 66.9 miliardë lekësh, ose 373 milionë lekë më shumë se plani. Në rritjen së të ardhurave kanë ndikuar kryesisht zhdoganimet e mallrave të akcizës, si karburante, cigare, kafe dhe birrë.
13 Shtator 2008