Nishani në konferencën për shtyp: “Njoftuam menjëherë kryeministrin”
Më datën 12.09.2008 në orën 14:00 në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë është administruar një informacion nga banorët të fshatit Lekas se në Rrugën Voskopojë - Lekas në vendin e quajtur “Kulat e Gjergjevicës” është pare një makine e batuar nga rruga dhe një shtetas i vdekur. Menjëherë në drejtim të vendit ngjarjes janë nisur dhe kanë mbërritur drejtues dhe specialistë të Policisë së Qarkut Korçë të cilët kanë identifikuar dokumentet e automjetit ku kanë konstatuar se ky automjet i përket shtetasit Kosta Trebicka.
Të ndodhur përballë kësaj situate me informacionin e marrë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka kontaktuar me Prokuroren e Përgjithshme dhe në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur grupe ekspertesh kriminalistë, mjeko-ligjorë dhe autoteknik, si dhe një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme për të koordinuar dhe kontrolluar veprimet hetimore.
Në vendin e ngjarjes janë kryer filmimet dhe fotografimet përkatëse, ka filluar këqyrja e vendit të ngjarjes, e mjetit, e kufomës dhe të gjithë sendet dhe provat materiale të gjetura në vendngjarje.
Nga tërësia e veprimeve të para u bë identifikimi i kufomës që i përket shtetasit Kosta Trebicka.
Në vendngjarje është fiksuar automjeti tip NISAN Kapriolet me targa TR 8843 J, e dalë nga rruga dhe e dëmtuar nga batimi.
Të gjitha veprimet hetimore po kryhen nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Korçe.
Në dispozicion të Prokurorisë së Rrethit janë vënë ekspertë të të gjitha fushave për të kryer ekspertizën e plotë të kësaj ngjarje dhe për të konkluduar në përfundim mbi mekanizmin e ndodhjes së saj.
Në dispozicion të grupit hetimor janë vënë dhe dëshmitarët që kanë dijeni dhe tregojnë rrethanat e hetimit të kësaj ngjarje.
Grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit vazhdon intensivisht veprimet hetimore, procedurale të kësaj çështjeje.
Me marrjen njoftim mbi këtë ngjarje, është njoftuar Kryeministri i cili ka kërkuar angazhimin e të gjithë ekspertëve më të spikatur të të gjitha fushave për hetimin e shpejtë, të plotë dhe të gjithanshëm të kësaj çështje.
Me daljen e konkluzioneve të eksperteve të përfshirë, ato do të bëhen të ditura zyrtarisht.
13 Shtator 2008