Meta: “Vdekja e dyshimtë, të mblidhet urgjent Kuvendi”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, shprehu shqetësimin për ngjarjen tragjike të vdekjes së Trebickës, të cilën e cilësoi të dyshimtë. Meta kërkoi mbledhjen në mënyrë urgjente të Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme për të zbardhur këtë vdekje tragjike. “I kërkojmë kryetares së Kuvendit, zonjës Jozefina Topalli, të mbledhë urgjentisht Kuvendin e Shqipërisë, si i vetmi organ kushtetues dhe pluralist që garanton veprimtarinë e institucioneve të pavarura dhe monitoron Ekzekutivin, në një seancë të jashtëzakonshme, për ngritjen e një komisioni parlamentar me përbërjen e të gjitha grupeve parlamentare”, - tha Meta. Ndërkohë po dje, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, shprehu dyshimet për vdekjen e Trebickës dhe kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Sali Berisha.
PDS: “Të hetohet me kujdes aksidenti i Trebickës”
Partia Demokracia Sociale ka kërkuar një hetim të kujdesshëm për vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka, i cili kur denoncoi trafikun e armëve përmendi edhe emrin e djalit të kryeministrit Berisha. “Ngjarja e rëndë shton bilancin dhe përmasat tragjike të skandalit të Gërdecit. Aksidenti në të cilin humbi jetën personi, i cili përmendi publikisht emrin e djalit të kryeministrit në trafikun e armëve, kërkon një hetim të plotë, me asistencë të plotë të kualifikuar. Trebicka ishte denoncuesi kryesor i aferës së armëve dhe rolit të pushtetarëve në të, ndaj aksidenti i tij meriton të trajtohet me shumë kujdes nga qeveria”, - tha sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkallari.
PSD: “Të zbardhen rrethanat e ngjarjes”
Për vdekjen gjatë një aksidenti automobilistik të dëshmitarit kryesor të hetimeve të Gërdecit ka reaguar edhe Partia Socialdemokrate. “Prokuroria duhet të zbardhë vdekjen e Trebickës dhe rrethanat e saj”, - ka thënë PSD-ja. Gjithashtu kjo parti kërkon edhe mbrojtjen e dëshmitarëve.
13 Shtator 2008