Dervishi: Çmë duhet Këpuca e artë, nëse dështon Shkumbini?
Në takimin e fundit me Laçin në Peqin, që u mbyll në barazim, sulmuesi peqinas Roland Dervishi konfirmoi edhe një herë formën e vet më të mirë, duke qenë nga më të mirët për ekipin e vet. Dervishi nuk harroi të bëjë detyrën e vet si sulmues, duke shënuar përsëri. Me golin që shënoi në ndeshjen e fundit, sulmuesi 29-vjeçar diti të mbajë premtimin e dhënë përpara ndeshjes, duke vazhduar të kryesojë që nga java e pestë listën e golashënuesve më të mirë të superiores, tashmë me 8 gola.
Dua të shënoj sa më shumë për të ndihmuar ekipin tim dhe jo për të fituar Këpucën e artë. Kënaqësia më e madhe është kur golat rezultojnë në fund përcaktues për ekipin tim dhe unë asnjëherë nuk e kam kthyer si qëllim në vetvete për të marrë trofeun.
E dëshiroja golin në takimin me Laçin, sepse e pata parandier që do ta gjeja rrugën e rrjetës dhe ia arrita qëllimit, – deklaron sulmuesi i Shkumbinit, Roland Dervishi, që është golashënuesi më i mirë i superiores me 8 gola në 7 javët e para të kampionatit.
Dy pikë të humbura në fushën tonë, por duhet të jemi të kënaqur edhe me barazimin, për të dalë me konkluzionet e duhura nga kjo ndeshje, sepse realisht nuk meritonim më shumë, ashtu si luajtëm dhe si vepruam për ta kërkuar fitoren me Laçin. Është pozitive dhe për tu përmendur që ekipi ynë pas golit të pësuar gjeti forca për të reaguar, por mendoj që nuk ishin të mjaftueshme, duke u mjaftuar vetëm me golin e barazimit, shton Dervishi, që në fund thotë:
Barazimi me Laçin dhe loja që zhvilluam me këtë ekip është lënë pas dhe po punojmë për të reflektuar në ndeshjen e radhës me Kamzën, që nuk po vlerësohet si ekip debutues, por si një kundërshtar i drejtpërdrejtë për ne, një ekip me traditë, që ka ditur ti tregojë vlerat e veta me rezultatet që po arrin çdo javë.
