E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfirmimi i Kamzës vjen ndaj Shkumbinit

Nga ILIR CARA

Kamzalinjtë i presin peqinasit pas dy fitoreve radhazi, ku spikat tripikëshi në transfertë me Dinamon

Shtatë javët e para të kampionatit të 73-të kanë prodhur rezultate të kënaqshme për Kamzën, e cila është debutuese në kategorinë superiore. Drejtuesit e Kamzës, presidenti Naim Qarri dhe kryebashkiaku Xhelal Mziu, kanë ndërtuar një ekip me lojtarë me përvojë, që nuk impresionohen nga pjesëmarrja në superligë. Ndonëse kanë një grup me eksperiencë, kamzalinjtë mbeten me këmbë në tokë dhe si debutues kërkojnë që në sezonin e parë të mos e diskutojnë qëndrimin në elitë.

Për stafin drejtues dhe teknik objektivi sezonal është që Kamza të jetë në mesin e artë të renditjes, duke siguruar çimentimin në superligë. Pas shtatë javësh Kamza është brenda objektivave, ku ka arritur 3 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje, me 10 pikë të grumbulluara dhe pozicionohen në vendin e tetë. Këtë fundjavë kamzalinjtë presin në fushën e tyre Shkumbinin dhe pa dyshim kërkohet vetëm tripikëshi, sepse kështu mund të realizojnë synimin.

Për blutë e Kamzës ndaj peqinasve kërkohet fitorja për të konfirmuar momentin e mirë të skuadrës, si dhe për të ecur në rrugën e kërkuar. Në këtë takim trajneri Ernest Gjoka nuk e ka të plotë grupin, pasi për efekt kartonësh mungojnë Beqiri, Belçev dhe Mici. Gjithsesi, trajneri Gjoka e ka bërë të qartë se nuk ka justifikime dhe me pjesën tjetër të grupit pa dyshim do të kërkojë maksimumin me Shkumbinin, gjë e cila realizohet duke ruajtur qetësinë.

Pas humbjes së papritur në shtëpi me Apoloninë, kamzalinjtë kanë reaguar, pasi në tre javët në vijim kanë marrë 7 nga 9 pikët e mundshme. Pas goditjes që morëm nga Apolonia, skuadra jonë ka reaguar mjaft mirë, gjë të cilën kërkojmë edhe këtë javë ndaj Shkumbinit. Përballja me peqinasit është e vështirë, por ne do ta vlerësojmë maksimalisht, me të vetmin synim fitoren. Nga java në javë skuadra ka treguar rritje dhe jemi në një pozitë të favorëshme.

Nga lojërat e zhvilluara duhet të kishim më shumë pikë, por ajo që ka ikur nuk zhbëhet, prandaj tripikëshi me Shkumbinin është konfirmimi i gjendjes së mirë të Kamzës, - u shpreh kapiteni i kamzalinjve, Fatjon Tafaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›