E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradecarët njëzëri: Të marrim tri pike ndaj Laçit!

Nga GAVROSH PAPA

Futbollistët pogradecarë, edhe pse të vënë nën akuzë për paraqitjet e dobëta në tri takimet e fundit, ku ekipi ka marrë një pikë, pa arritur të shënojë qoftë një gol, duket se janë bërë më të ndërgjegjshëm se ndaj Laçit do të jetë një takim ku duhet duhet të tregojnë vlerat e vërteta, por në mbarim të ndeshjes me një fitore. Makthi i keq i dëmtimeve i ka penalizuar pogradecarët në këto 7 javë, por duket se tani ka kaluar disi.

Mesfusha dhe sulmi këtë javë do të jetë të plota, ku trajneri Çekiçi dhe stafi i tij do të kenë mundësi zgjedhjeje për të hedhur në fushë formacionin më të mirë. Për Pogradecin në këtë takim duket se do të jenë të gatshëm dyshja sulmuese Tanushi-Eminazeri, që munguan në takimet e fundit, lojtarë këta që i japin siguri ekipit në repartin e sulmit, të mbështetur edhe nga shtalarti korçar Jorgo Çipi.

Lojtarët pogradecarë duket se janë shumë të përqendruar dhe të karikuar për të dalë me fitore nga fusha dhe kjo duket edhe në seancat stërvitore, ku vihet re një mobilizim shumë i madh. Sulmuesi Eduard Tanushi, lidhur me takimin e së premtes, ku do të ketë kundërshtar ish-ekipin e tij, shprehet:

Vërtet do të jetë një emocion i madh për mua që do të luaj kundër ekipit tim, ku u rrita dhe për disa vite kam qenë kapiten i këtij ekipi, ku jam shpallur kampion i kategorisë së parë, si dhe kam dhënë kontributin tim në arritjen e vendit të katërt dhe pastaj pjesëmarrja historike në Kupat e Europës.

Por kjo i përket së shkuarës tashmë, unë jam profesionist dhe jam një lojtar i Pogradecit, pavarësisht se përballë do të kem ekipin tim të zemrës. Do të jap maksimumin me fanellën e Pogradecit, që së bashku me shokët e skuadrës të dalim me tri pikë nga fusha, për të mos komplikuar pozicionin tonë në tabelën e renditjes, si dhe për të kënaqur tifozerinë pogradecare, që na ka mbështetur gjithmonë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›