E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdini: Smund të jem Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur

Nga ANDI MATRAXHIU

Trajneri blu e ka të vështirë rikthimin, ndihet tepër i zhgënjyer për momentin e vështirë të Dinamos dhe mbetet në dilemë për të ardhmen

Dinamo vazhdon stërvitjen çdo ditë në kuadër të ndeshjes së radhës ndaj Teutës në stadiumin Niko Dovana. Por veç punës voluminoze të stafit dinamovit, me në krye zv.trajnerin Artan Mërgjyshi, në radhët e bluve bie në sy mungesa e trajnerit Faruk Sejdini, i cili pas humbjes ndaj Kamzës në Qemal Stafa deklaroi se e kishte të vështirë pozicionin e tij te Dinamo. Edhe tani, pasi ka dy ditë që ka nisur stërvitja, Xhaxhi ende nuk është rikthyer në krye të Nëndetëses.

Në kampin blu thonë se kjo mungesë vjen si pasojë e gjendjes gripale që po kalon tekniku kryeqytetas, ndërkohë që i kontaktuar vetë trajneri në fjalë ka sqaruar pozicionin e tij: Ndihem vërtet i zhgënjyer për këtë ecuri negative të Dinamos. E kam të vështirë të rikthehem në drejtim të skuadrës, sepse mendova që pengesën e parë të MTKRS-së mund ta kalojmë me kushtet sportive, por qenka e vështirë.

Në krahun tjetër, përgjegjësitë teknike na përkasin ne, por edhe lojtarët nuk po përgjigjen siç duhet për arsye të ndryshme. P.sh., njëri më thotë që kam fjetur në Shkodër dhe kam udhëtuar dy orë përpara ndeshjes, një tjetër ankohet se është ftohur, sepse është ndërruar në mes të shiut pas stërvitjes, e dikush tjetër është bllokuar nga muskulatura se nuk ka dhomë fizioterapie. Më thoni ju mua, si mund tu kërkoj llogari një më një lojtarëve të mi kur nuk ka kushte minimale?

Tani që gjërat nuk ecën siç duhet në fushën e blertë, e kam të vështirë, sepse nuk shikoj të ardhme. Unë smund ta shikoj Dinamon duke vuajtur. Ndihem vërtet i lodhur nga këto probleme, ku edhe nervat të tradhtojnë. Jam 62 vjeç dhe të vij tek fusha e të pres Agjencinë e Autobusëve kur të më japë orarin e stërvitjes, ky është një ofendim i madh, sepse nuk mundet që një ekip i parë të presë fëmijët që luajnë e stërviten, pasi në fund të fundit këta fëmijë ndaj stërviten, që nesër të jenë pjesë e Dinamos.

Më thoni ju mua, si mundet që tani, që do të fillojë të errësohet nga ora 13:00 deri në 16:00, të stërviten të gjitha ekipet? Tani jemi bërë si batalione ushtrie, Dinamo 1, Dinamo 2. Qenka shumë e lehtë, më mirë nesër po krijoj edhe unë Dinamon 3 dhe do të kem më tepër kushte se Dinamo e 18 titujve kampion. Kjo është një katrahurë e vërtetë.

Nëse vazhdon kjo amulli, e kam të vështirë rikthimin tim, sepse dy hallakat, MTKRS dhe Dinamo, duhet të fuksionojnë në perfeksion që skuadra e futbollit të ketë kushtet normale, më pas teknikisht është përgjegjësia e stafit teknik të analizojë skuadrën. Kjo ministri sportin e ka lënë në vendin e fundit, ndaj dhe më duhet ta filloj nga fundi kërkesën time, sepse janë nja 4 gërma më përpara, më pas vjen S-ja.

Në këto pozita më duket vetja si Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, apo si Don Kishoti, pasi kur mbërrij në kompleks duhet të kërkoj një kunj teli për të varur xhaketën time. E dua me zemër këtë ekip dhe do të bëj maksimumin tim për të. Edhe tani që flas, nëse rikthehem, e bëj vetëm për atë ekip që smë takon mua, por historisë së futbollit shqiptar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›