Epoka Vata nis ndaj Bylisit, Vllaznia do fitore dhe lojë
Trajneri i ri i kuqebluve do të debutojë në një ndeshje shtëpie dhe mundësitë janë për të nisur sa më mbarë në krye të Vllaznisë
Për fat, epoka Vata nis në Shkodër. Pikërisht aty ku ai hodhi hapat e para të një karriere shumë të suksesshme më pas si futbollist. Për arsye nga më të ndryshmet, nuk e lanë të luante shumë për Vllazninë dhe prandaj iku te Dinamo, më pas në Skoci e me radhë në shumë ekipe të tjera. Edhe si trajner e nis në Shkodër me siguri për të vazhduar gjatë në këtë zanat. Kuptohet, tani është më ndryshe për Rudin.
Nuk e ka atë presionin që ka pasur si futbollist në hapat e para të tij. Tashmë ka një emër të madh në futbollin shqiptar, por si trajner ende jo. Prandaj dhe vështirësitë e para janë në këtë mes. Jo më kot, nuk ka premtuar mrekullira në pankinë. Ka premtuar se do veprojë me zemër dhe me të gjitha fuqitë e tij për të bërë më së miri punën e trajnerit të Vllaznisë. Megjithatë, kjo nuk mjafton. Tifozët shkodranë duan edhe rezultate të skuadrës së tyre të zemrës. Duan edhe lojë të bukur dhe më së shumti, Vata për këtë duket i interesuar.
Zbavitja Nëse tifozët janë larguar nga shkallët e stadiumit, e kanë bërë këtë ngaqë nuk kanë pasur çfarë të shohin në fushën e lojës. Ata janë aq të mençur sa të mos gënjehen dhe prandaj më mirë preferojnë të rrinë në shtëpi sesa të vijnë në stadium dhe në vend që të zbaviten për dy orë, bëjnë të kundërtën dhe prandaj numri i tyre ka ardhur duke u reduktuar. Unë këtë do kërkoj nga skuadra ime tashmë.
Të dhuroj lojëra të bukura. Ndoshta rezultati pozitiv nuk vjen në çdo ndeshje, por e rëndësishme është të luajmë futboll dhe ta kërkojmë fitoren me lojë, – është shprehur ditën e parë të emërimit Vata. Tashmë gjërat janë më se të qarta. Priten ndryshime. Ata në staf thuajse kanë përfunduar. Në Shkodër është mirëpritur së tepërmi afrimi i Sinanit në postin e zëvendëstrajnerit.
Përvoja e tij e madhe dhe mbi të gjithë reputacioni që ai në skuadër, do ta ndihmojnë edhe Rudin të punojë më i qetë. Vata e ka quajtur veten burrë që mori përsipër drejtimin e Vllaznisë në këto momente kur shumë burra të tjerë ndoshta nuk do ta merrnin këtë vendim. Edhe për Sinanin ka thënë se u tregua vërtet burrë që pranoi ofertën për të qenë edhe lojtar edhe zëvendëstrajner. Vllaznia pra kësisoj ka rënë në dorë burrash. Dhe mbi të gjitha në burra Shkodre. Prandaj duhet tu besojmë. Shkodranët në drejtimin e skuadrës këto vitet e fundit kanë qenë të paktë dhe tashmë është një pjesëtar i tyre.
Debutimi Rudi Vata e nis të shtunën ndaj Bylisit në një ndeshje që duhet fituar patjetër. Ai sigurisht që nuk ka premtuar titullin, por ka premtuar se do të bëjë më të mirën për të kapur vendin e tretë në kampionat, çka është brenda objektivave të klubit. Pas Bylisit, shorti në fakt është i favorshëm, pasi Vllaznia do të shkojë në Fier dhe do presë pastaj Skënderbeun në Shkodër.
Çka do të thotë se mundësitë për të marrë 9 pikë në këto tri ndeshje janë reale. Me to, natyrisht që situata do të jetë pastaj krejt ndryshe dhe prandaj e para ndaj ballshiotëve konsiderohet shumë e rëndësishme. Vata pati mundësinë ta shihte ndeshjen e javës së kaluar të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, Vllaznia-Bylis, nga tribuna e Loro Boriçit.
U largua shumë i zhgënjyer nga ajo që paraqiti skuadra shkodrane në fushë dhe, ndonëse në atë moment nuk ishte ende trajner i saj, mund të ketë qenë në dilemë të madhe për ta marrë apo jo drejtimin e kësaj skuadre. Tashmë ai duhet të bëjë ndryshe dhe të shtunën të gjithë shkodranët presin fitoren prej tij.
Trajneri i portierëve, ndoshta nga Mali i Zi
Dilema se kush do jetë trajneri i ri i portierëve të Vllaznisë ende nuk ka marrë një përgjigje. Pas largimit të Avenir Danit nga ky post, ende nuk ka një zëvendësues. U mendua se në vend të tij do të emërohej legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja, por duket se Vata dhe drejtuesit e klubit nuk e kanë menduar këtë si zgjidhje.
Në Shkodër, përveç tij dhe Danit, nuk ka ndonjë trajner tjetër që punon me portierët, pasi edhe Isa Sukaj nuk ka preferuar të punojë asnjëherë me ekipin e parë. Duke qenë se hipoteza e Ndojës ra poshtë, një ide ka qenë ndoshta rikthimi sërish i Danit sërish në pankinë, por edhe kjo hipotezë ka rënë poshtë.
Burime pranë klubit Vllaznia bëjnë të ditur se drejtuesit e tij janë duke punuar për gjetjen e një përgatitësi portierësh jashtë Shkodre. Po shikohet mundësia për ndonjë brenda Shqipërisë, por po ashtu, po shikohet mundësia të merret edhe nga Mali i Zi. Megjithatë, deri në fund të javës edhe kjo pikëpyetje duket se do marrë zgjidhje.
Vata me fat, rikuperohen lojtarët e dëmtuar
Dy javët e fundit skuadra shkodrane ka pasur jo pak mungesa në radhët e saj. Shumë lojtarë kanë qenë të dëmtuar, ndonjë tjetër i pezulluar me kartonë dhe kjo situatë bëri që trajnerët Josa e Plori të ishin të detyruar të bënin ndryshime të detyruar në formacion. Madje edhe vendosje në pozicione të ndryshme lojtarësh. Por ardhja e Rudi Vatës në krye të skuadrës duket se ka qenë me fat për të.
Me përjashtim të të riut Bardulla, që u dëmtua në ndeshjen me Pogradecin (ka plasje të vogël të kockës së kërcirit të këmbës), të gjithë futbollistët e tjerë janë rikuperuar plotësisht. Rikthehet Sykaj pas pezullimit me kartonë, rikthehet Popoviç në gjendjen e tij më të mirë, rikthehen pas dëmtimesh edhe Nimani e Hasani, që kanë filluar punën me ekipin normalisht me ekipin.
Duke qenë kështu, trajneri Vata do ta ketë më të lehtë ndërtimin e formacionit për ndeshjen e radhës me Bylisin, megjithatë ajo çfarë duhet pritur, është të shohim se si do ta ndryshojë skemën e lojës në mesfushë për ti dhënë më përparësi sulmit, ngaqë vetë Vata ka qenë i pakënaqur me mënyrën se si luante më parë skuadra.
Shkodrës i rikthehet dinjiteti, Vllaznia!
Nga Redan BUSHATI*
atje, në kryeqendrën e veriut, në çdo kafene, rrugicë, lagje, në çdo skutë e pjesë të saj flitet për futbollin. Futbolli është pjesë e përditshme e jetës së këtij qyteti, e qytetarëve të saj. Ata jetojnë me të. Koha e ka faktuar dhe po e dëshmon çdo ditë një fakt të tillë. Një qytet i lindur për të qenë pjesë e pandashme e artit dhe e kulturës, por mbi të gjitha një qytet që ushqehet me sport, dhe veçanërisht me futboll.
Dinamika e jetës dhe ndryshimet në kohë të saj, sigurisht do të shfaqnin për shumë prej tyre edhe mjaft probleme të mbijetesës. Por edhe kjo kalohet nga këta njerëz, të cilët me mbijetesën dhe ekzistencën e tyre krijojnë një varësi të pashmangshme me këmbët e atyre, që luajnë në fushën e lojës. E kur këta të fundit dinë të luajnë, mbijetesa e tyre është më se e arritur.
Tashmë, prej disa vitesh, shumë prej tyre janë larguar nga shkallët e stadiumit. Pas vdekjes së të ndjerit Myftar Çela, shkallët e Loro Boriçit kanë ardhur në një pakësim të ndjeshëm, por edhe kështu siç janë, ata vazhdojnë të jenë të parët. Sigurisht, sipas një fjalie që do të thoshte Rudi Vata në një intervistë, se futbolli shqiptar është futboll tavolinash, numri i sportdashëve që e ndjekin Vllazninë në shkallët e stadiumit do të ulej ndjeshëm.
Populli i Shkodrës, qytetaria e saj, sportdashësit e Vllaznisë, duan futboll të bukur, lojë korrekte, spektakël të admirueshëm, të shoqëruar me fitore të denja. Ndaj, si rrjedhojë është i shpjegueshëm edhe fakti i boshatisjes së stadiumit. Edhe ndonjë alien në Shkodër, nëse ka, e di që Vllaznia ka shitur, ka lënë dhe ka bërë pazar ndeshjesh gjatë ecurisë së saj në kampiona
