Dervishi tërhiqet nga kandidimi për Avokatin e Popullit
22/01/2005 Besnik Dervishi ka bërë dje të ditur se nuk do të kandidojë për postin e Avokatit të Popullit. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se ish-ministri ka preferuar të marrë detyrën e këshilltarit të Kryeministrit, për çështjet juridike. Shkak për këtë vendim janë bërë debatet e hapura në politikë, mbi rolin e Avokatit të Popullit në Shqipëri. Së pari, ka qenë kreu i demokratëve, që ka deklaruar se me futjen e Dervishit në këtë post, kryetari i PS-së, Fatos Nano, po kërkonte që të politizonte institucionin më të pavarur. Ndërkohë, dhe deputeti socialist, Petro Koçi, është shprehur në një prononcim, të dy ditëve më parë, se Dervishi nuk ka marrë mbështetjen e socialistëve në këtë iniciativë. Burimet konfirmuan se një nga shkaqet më të forta është dhe oferta që ka bërë së fundi Nano. Kështu, postin e sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë do ta marrë Zamira Caka. Ndërsa detyrën që ajo ka pasur më parë, atë të këshilltares për çësshtjet juridike, do ta marrë pikërisht Dervishi.