PS i kërkon Pëllumbit drejtimin e 5 komisioneve
22/01/2005 Socialistët kanë kërkuar prej Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, drejtimin e 5 komisioneve më të rëndësishëm të parlamentit. Burimet kanë bërë të ditur se në një takim, mes Gramoz Ruçit dhe Kryetarit të Kuvendit, Pëllumbi, drejtuesi i Grupit socialist ka kërkuar drejtimin e Komisionit të Ligjeve, Komisionit të Ekonomisë, Komisionin e Sigurisë Kombëtare, Komisionin e Politikave me Jashtë dhe Komisionin e Integrimit. Me këtë rast, Ruçi ka dorëzuar dhe formularët e deputetëve të PS-së, ku pasqyrtohet se në cilin komision ata do të bëjnë pjesë. Megjithatë, Pëllumbi do të deklarojë përbërjen e komisioneve si dhe partitë që do t'i drejtojnë ato, vetëm pas mbledhjes së konferencës së kryetarëve, që pritet të zhvillohet ditën e hënë. Duke parë kërkesat e socialistëve, për opozitën do të mbesë drejtimi i Komisionit për Shëndetësinë dhe Punët Sociale, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Në diskutime do të përfshihen dhe partitë e vogla, pasi deri më tani është konfirmuar se përfaqësuesit e mazhorancës do të kenë kryesimin e vetëm 5 komisioneve, kurse opozitarët do të kenë vetëm 3. Por nuk është bërë e qartë nëse te mazhoranca do të kenë pjesë dhe partitë e tjera, si LSI apo PSD. Ndërsa është konfirmuar se nga opozitarët, LZHK ka kërkuar drejtimin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare. Kjo është argumentuar me faktin se anëtari i LZHK-së, Dashamir Shehi, e drejton këtë komision prej 4 vitesh.